Lidhje

SIDA, rritje e pandalshme në Shqipëri


Në 2012 zbulohen 75 raste të reja. Më shumë se gjysma në stadin e sëmundjes. Shoqatat kërkojnë nga autoritetet garantimin e financimeve për ilaçet dhe diagnostikimin

Në Shqipëri numri i personave të infekuar me Hiv ka ardhur duke u rritur në mënyrë progresive. Gjatë 2012, rastet e reja kanë arritur në 75, që përbën edhe numrin më të madh që nga 1993, kur u zbulua rasti i parë. Një problem të madh duket se përbën fakti që rastet e zbuuara janë në pjesën më të madhe në stadin e sëmundjes. Vetëm gjatë 2012, numri i atyre që marrin trajtim me medikamente është rritur me afër 40 përqind.

Shqipëria duket se po përballet me një situatë gjithnjë e më shumë problematike përsa i përket përhapjes së Hiv/Aids. Ndonëse shifra në total prej 555 rastesh,mund të mos konsiderohet alarmante, fakt është se vendi ka njohur një rritje të pandalshme të rasteve të zbuluara, dhe deri më sot, përgjatë 11 muajve të këtij viti ato shënojnë numrin më të madh, 75 te tilla. Një tendencë e cila krahasuar me numrin e popullsisë e bën Shqipërinë vendin e parë në Ballkan për nivelin e përhapjes.



Por akoma më shqetësuese është një tjetër e dhënë. Më shumë se gjysma e rasteve të zbuluara kanë qenë në stadin e sëmundjes, dhe akoma më keq, jo pak të shoqëruara njëkohësisht edhe me sëmundje të tjera si tuberkuloz apo sifiliz. Deri vitin e kaluar ishin afër 160 persona që merrnin trajtim me ilace. Këtë vit numri i tyre ka shkuar në 222, një rritje prej afër 40 përqind. Një situatë e cila dëshmon nivelin e ulët të testimit vullnetar por nga ana tjetër, më problematik, është fakti se këta persona për një kohë të gjatë mund ta kenë transmetuar edhe tek të tjerë. Këta të fundit po ashtu nuk janë në dijeni se kanë marrë infeksionin e për pasojë vazhdojnë të përbëjnë një rrezik potencial përhapjeje dhe efekti zinxhir vazhdon kështu të zgjerohet.

Nga ana tjetër, edhe kostoja sociale rritet, në një kohë kur burimet financiare po shterren në të gjthë botën për shkak të krizës. Një grup shoqatash jo qeveritare që trajton cështjet e Hiv/aids, drogës dhe shëndetit riprodhues, u shprehën të shqetësuara për ndërprerjen e financimeve nga jashtë, përmes atij që njihet si Fondi Global, dhe kërkuan nga autoritetet që “në këtë situatë urgjente të japin përgjigje dhe ndërhyrje të koordinuara kombëtare për të parandaluar mungesën e medikamenteve ARV të gjeneratës së dytë dhe diagnostikimeve, të cilat shkaktojnë ndërprerje të rrezikshme të trajtimit dhe cënojnë jetën dhe minojnë besimin që personat HIV pozitiv kanë ndaj ofruesve të shërbimit shëndetësor”.

Rasti i parë i një personi të infektuar me Hiv u zbulua në vitin 1993. Deri më tani 100 prej personave të prekur, apo 20 përqind e totalit, kanë humbur jetën. Tetë prej tyre vetëm këtë vit. Nuk kanë munguar rastet e fëmijëve të prekur, afër 30 të tillë. Pjesa më e madhe për shkak të transmetimit nga nëna, ndërsa disa tjerë gjatë transfuzionit të gjakut. Në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, në mbi 90 përqind të rasteve, e cila dëshmon se propaganda dhe sensibilizimi për masat kontraceptive vazhdon të mbetet i ulët, sikundër edhe mungesa e një programi parandalimi për të shmangur transmetimin e infeksionit nga nëna te fëmijët.
XS
SM
MD
LG