Lidhje

Shqipëri, shtohet numri i infektimeve me HIV

  • Armand Mero

Gjatë këtij viti ka patur edhe 5 të vdekur, duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 97 gjatë pothuajse një dekade

Në Shqipëri, numri i infektimeve me virusin HIV që shkakton sidën ka ardhur duke u shtuar dhe ky vit mund të shënojë një rekord të ri. Gjatë këtij viti ka patur edhe 5 të vdekur, duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 97 gjatë pothuajse një dekade. Le t’i hedhim tani një vështim gjendjes së kësaj epidemie në Shqipëri.

Në Shqipëri, rasti i parë i një personi të infektuar me Hiv u zbulua në vitin 1993. Që nga ajo kohë, numri ka ardhur duke u shumëfishuar e duke shfaqur edhe një sërë problematikash. Vitin e kaluar u shënua numri më i madh i rasteve, 65 të tilla.

Por duket se 2012 do të shënojë një tjetër rekord. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë 42 raste të reja. Po ashtu gjatë këtij viti ka patur edhe 5 të vdekur, duke e cuar në total numrin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve në 97. Nuk kanë munguar rastet e fëmijëve të infektuar. Dy janë regjistruar këtë vit. Në total numri i tyre është 26. Pjesa më e madhe për shkak të transmetimit nga nëna, ndërsa disa tjerë gjatë transfuzionit të gjakut.

Në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, në mbi 90 përqind të rasteve, e cila dëshmon se propaganda dhe sensibilizimi për masat kontraceptive vazhdon të mbetet i ulët, sikundër edhe mungesa e një programi parandalimi për të shmangur transmetimin e infeksionit nga nëna te fëmijët.

Por ajo që duket më shqetësuese lidhet me rrezikun e një shpërthimi në vitet e ardhshme. Deri vitin e kaluar ishin afër 160 persona që merrnin trajtim, pasi janë në fazën e sëmundjes. Rastet e konstatuara këtë vit janë të gjitha në stad sëmundjeje, madje jo pak prej tyre, 13 te tilla, të shoqëruara njëkohësisht edhe me sëmundje të tjera si tuberkuloz apo sifiliz.

Kjo situatë dëshmon nivelin e ulët të testimit vullnetar por nga ana tjetër, më problematik, është fakti se këta persona për një kohë të gjatë mund ta kenë transmetuar edhe tek të tjerë. Këta të fundit po ashtu nuk janë në dijeni se kanë marrë infeksionin e për pasojë vazhdojnë të përbëjnë një rrezik potencial përhapjeje dhe efekti zinxhir vazhdon kështu të zgjerohet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG