Lidhje

Raport i OKB mbi HIV-SIDA bën thirrje për ligje të efektshme


Ekspertët bëjnë thirrje për miratimin e ligjeve, që mbrojnë të drejtat e njeriut të pacientëve me SIDA

Një raport i ri i publikuar nga Komisioni Global për HIV-in dhe ligjin, i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, vë në dukje se dhjetra ligje arkaike janë bërë pengesë për një përgjigje globale të efektshme kundër SIDA-s. Ekspertët po bëjnë thirrje për miratimin e ligjeve, që mbrojnë të drejtat e pacientëve me SIDA dhe që u japing atyre mundësi për kura dhe ndërhyrje të reja, me synimin për t’i dhënë fund kësaj epidemie.

“Ligjet e vjetëruara nuk duhet të pengojnë gjetjen e një përgjigjeje të efektshme ndaj virusit HIV”.

Helen Clark, drejtoreshë e Programit për Zhvillim të OKB-së, thotë se ligjet dhe praktikat që në fakt legjitimojnë abuzimin e të drejtave të njeriut po bëjnë që shumë njerëz të humbin jetën, të shpërdorohen fonde dhe të krijohen pengesa për një përgjigje të efektshme dhe të qëndrueshme ndaj virusit HIV.

Shumë ish kryetarë shtetesh, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe ekspertë të njohur të HIV-it publikuan një raport të bazuar në të dhëna nga më shumë se 1 mijë njerëz në 140 vende. Raporti përqëndrohet në disa prej çështjeve më të vështira ligjore dhe të të drejtave të njeriut, që lidhen me këtë epidemi, përfshirë këtu trajtimin si çështje kriminale të transmetimit të virusit HIV-it nëpërmjet përdorimit të drogës, prostitucionit dhe marrëdhënieve seksuale mes homoseksualëve. Festus Mogae ka qënë president i Botsvanës.

“Ne kemi arritur në përfundimin se ekzistojnë prova bindëse se një epidemi ligjesh jo të mira po kushtojnë jetë njerëzish, se ato pakësojnë ndikimin pozitiv të burimeve të pakta që ne po shpenzojmë tashmë mbi këtë çështje”.

“Nëse ato nuk u përmbahen standardeve të të drejtave të njeriut, atëhere këto ligje duhet të ndryshohen”.

Christina Finch, drejtoreshë e politikave mbrojtëse në organizatën Amnesty International, thotë se raporti duhet t’i nxisë qeveritë e botës që të shqyrtojnë me seriozitet ligjet për të siguruar mbrojtje për të gjithë qytetarët e tyre.

“Ligje që kriminalizojnë marrëdhëniet mes homoseksualëve, ligje që nuk mbrojnë dhunën kundër grave. Ne do të donim të shikonim një analizë rigoroze të këtyre ligjeve nga shtetet anëtare duke përdorur standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

I të njëjtit mendim është Michel Sidibe, drejtor ekzekutiv i programit të OKB-së për HIV/SIDA-n.

“Nëse duam të ndalim përhapjen e virusit HIV, respekti për të drejtat e njeriut dhe dinjitetin nuk është një alternativë, por një domosdoshmëri. Ne duhet të zgjidhim këto çështje qëndrore për dinjitetin njerzor”.

Raporti rekomandon që vendet të miratojnë ligje të bazuara në praktika të shëndosha të shëndetit publik dhe në të drejtat bazë të njeriut. Raporti u bën thirrje qeverive që t’i japin fund diskriminimit mbi bazat e statusit të HIV-it dhe të shfuqizojnë ligjet që kriminalizojnë transmetimin e virusit ose mosdeklarimin e këtij statusi.

Raporti rekomandon gjithashtu që marrëdhëniet seksuale mes njerëzve të së njëjtës gjini, të mos trajtohen më nga ligji si vepër kriminale, ashtu sikurse edhe prostitucioni mbi baza vullnetare dhe përdorimi i drogës, duke thënë se situata aktuale i shkurajon njerzit që të kërkojnë kujdes parandalues dhe shërbimet e nevojshme.
XS
SM
MD
LG