Lidhje

Uashington, Konferenca Ndërkombëtare e SIDA-s


Dr. Anthony Fauci

Dr. Anthony Fauci

Studiues, udhëheqës komunitetesh dhe zyrtarë zhvillojnë në Uashington Konferencën e 19-të Ndërkombëtare të SIDA-s

Studiues të SIDA-s, udhëheqës komunitetesh dhe zyrtarë zhvillojnë në Uashington Konferencën e 19-të Ndërkombëtare të SIDA-s. Është hera e parë në 22 vjet që konferenca organizohet në Shtetet e Bashkuara. Tema e këtij viti është "Të ndryshojmë situatën së bashku". Këto fjalë pasqyrojnë optimizmin në rritje se lufta globale kundër SIDA-s është duke u fituar.

Jorgani përkujtimor i SIDA-s – një simbol i fuqishëm i pasojave rrënuese të kësaj sëmundjeje – u paraqit në Uashington, vetëm disa javë para hapjes së Konferencës Ndërkombëtare të SIDA-s.

Çdo pjesëz përkujton dikë që ka vdekur prej sëmundjes. Projekti filloi 25 vjet më parë, herën e fundit që Konferenca Ndërkombëtare e SIDA-s u zhvillua në Uashington.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, ishte atëherë në të njëjtin post.

"Njëzet e pesë vjet më parë, në vitin 1987, ishte ende një kohë shumë e zymtë lidhur me HIV-in."

Po përhapeshin thirrjet për masa mbrojtëse në aktivitetin seksual, duke përdorur kontraceptivë. AZT ishte një medikament i ri që mund të luftonte virusin HIV, por vetëm përkohësisht.

"Ishte një kohë shumë, shumë e dëshpëruar. Numri i rasteve po rritej në të gjithë botën. Nuk e kishim kuptuar ende plotësisht ndikimin e jashtëzakonshëm që kishte në botën në zhvillim, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane."

Gati 70 për qind e rasteve me SIDA kanë qenë njerëz që jetojnë në Afrikën nën-Sahariane. Dy milionë e gjysmë njerëz infektohen çdo vit, por tani ka shpresa të reja.

"Në vitin 2012, kemi arritur në pikën ku shkenca na ka dhënë mundësinë e një sërë ndërhyrjesh, në formë trajtimi dhe parandalimi të HIV-it".

Tani ka 30 lloje barnash për trajtimin e virusit HIV. Dhjetë vjet më parë, pak njerëz në vendet në zhvillim mund t’i merrnin ato. Tani, afro shtatë milionë njerëz janë duke u trajtuar. Mjekët gjithashtu kanë mësuar se si të parandalojnë që fëmijët të marrin virusin nga nënat e tyre. Shkencëtarët kanë zbuluar që trajtimi i hershëm jo vetëm që shpëton jetën e njerëzve por pakëson ndjeshëm shanset që ata të kalojnë virusin tek partneri i tyre.

Tani, studiuesit po i afrohen zhvillimit të një vaksine.

Ambasadori Eric Goosby është koordinatori Global i SHBA-së për SIDA-n. Ai thotë se angazhimi i vendeve është vendimtar.

"Janë vetë vendet që duhet të marrin një rol drejtues, jo partnerët e jashtëm. Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë ministritë e shëndetit të vendeve në të cilat punojmë."


Dr. Fauci është dakord.

"Ajo që do të doja të shihja është një angazhim global për të rritur ndjeshëm shkallën e zbatimit në nivel botëror, si të masave parandaluese ashtu dhe trajtimit, në mënyrë që vërtet të arrijmë atë që të gjithë po përpiqemi të bëjmë, pra dhënia fund e pandemisë së SIDA-s."

Në konferencën e këtij viti, së bashku me prezantime shkencore, do të ketë edhe thirrje si kjo për rritjen e angazhimit të qeverive për dhënien fund të pandemisë dhe për rritjen e fondeve, në mënyrë që brezi i ardhshëm të mund të jetojë pa SIDA-n.

XS
SM
MD
LG