Lidhje

25 vjetori i jorganit përkujtimor të SIDA-s

  • Chris Simkins

Jorgani i SIDA-s shërben si kujtesë për viktimat e epidemisë

Sivjet është 25-vjetori i Jorganit Përkujtimor të SIDË-s, një projekt që filloi në vitin 1987 në San Fransisco, nga një grup njerëzish të panjohur me njeri tjetrin, për të nderuar miqtë dhe të dashurit e tyre që kishin vdekur nga SIDA. Sot, në jorganin që peshon 54 tonë, janë shkruar dhjetra mijëra emra. Pjesë të tij do të ekspozohen në Washington gjatë këtij muaji, në Festivalin Folklife të Washingtonit, 30 vjet pasi zyrtarët amerikanë të shëndetësisë e cilësuan SIDA-n një epidemi.

Kjo mbulesë është një kujtim i fuqishëm për jetën e prerë në mes nga SIDA. Tani, që janë mbushur 25 vjet nga fillimi i këtj projekti, pjesë të jorganit janë ekspozuar në festivalin e përvitshëm folklorik të organizuar nga qendra kulturore Smithsonian në Parkun Kombëtar të Washingtonit.

Lili Romero-de Simone është nga Panamaja. Ajo ka ardhur në festivalin e Washingtonit për të kujtuar vëllain e saj, Markun. Ai vdiq nga SIDA thuajse 20 vjet më parë.

"Ky është simbol i ndërgjegjësimit për botën se SIDA nuk është vetëm 4 gërma mbi një pamflet, por është një epidemi që ka pasoja jo vetëm tek njerëzit që vdesin, por tek të gjithë ne që mbetemi pas".

Jorgani ishte shprehja e parë artistike e dëshpërimit që solli epidemia e virusit HIV dhe SIDA-s.

"Është e pamundur të shohësh këtë jorgan dhe të mos ndjesh emocione".

Julie Rhoad drejton Fondacionin Projekti i Emrave, që kujdeset për jorganin dhe përpiqet që ai të shihet në mbarë botën.

"Ky jorgan është dëshmi e jetës së shoqëruar me epideminë dhe 93 mijë emrat e qendisur në të, synojnë të ndërgjegjësojnë dhe frymëzojnë njerëzit, që ata ta kuptojnë se ne jemi të lidhur me njëri tjetrin".

Pjesë të jorganit janë çuar në mbarë botën dhe atë e kanë parë më tepër se 18 milionë njerëz. Nicholas Gattie dhe familja e tij kanë ardhur për të vizituar Washingtonin.

"Është tepër e dhimbshme për mua, edhe pse nuk kam njohur njeri që ka vdekur nga SIDA. Kjo është një epidemi e përhapur në mbarë botën dhe ka nevojë për shumë vëmendje që të kurohet".

Shumica e pjesëve të jorganit janë bërë nga familjarë, miq, ose të dashur të viktimave të SIDA-s. Disa fragmente kanë fotografi dhe data, ndërsa të tjera kanë simbolet e personave. Fondacioni Projekti i Emrave synon të ekspozojë të 48 mijë panelet gjatë muajit korrik të zonën e Washingtonit.

Julie Rhoad e Fondacionit Projekti i Emrave thotë se jorgani është një një instrument i fuqishëm edukativ.

"6 në 10 studentë që e shohin këtë jorgan na thonë se kur kthehen në shtëpi u tregojnë prindërve për SIDA-n dhe virusin HIV".

Ndërsa njerëzit reflektojnë për emrat dhe historitë e tyre, organizatorët thonë se jorgani i SIDA-s do të vazhdojë t’u japë zë atyre njerëzve, zërat e të cilëve u shuan shumë shpejt.
XS
SM
MD
LG