Lidhje

Pezullohen operacionet për gjetjen e avionit indonezian


FILE - An AirAsia plane is seen on a runway at Kuala Lumpur International Airport in this August, 2014 image.

FILE - An AirAsia plane is seen on a runway at Kuala Lumpur International Airport in this August, 2014 image.

Një operacion kërkim-shpëtimi në Detin e Javës për gjetjen e një avioni të zhdukur me 162 njerëz në bord u pezullua për shkak të motit të keq dhe pritet të rifillojë nesër në mëngjes. Avioni i kompanisë AirAsia që po udhëtonte drejt Singaporit u zhduk të dielën në mëngjes pak kohë pas nisjes nga qyteti Surabaya i Indonezisë.

Autoritetet thanë se avioni humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror 42 minuta pasi ishte nisur nga qyteti indonezian Surabaya drejt Singaporit.

Zyrtarët indonezianë thonë se operacionet e kërkim-shpëtimit në Detin e Javës filluan pas lajmit për zhdukjen e avionit.

"Ne kemi bërë përgatitjet për një operacion kërkim-shpëtimi në Tan-xhung Pandan të Ishullit Belitung. Do ta rifillojmë operacionin nga pika më e afërt e zonës ku mendojmë se është rrëzuar avioni dhe më pas do ta zgjerojmë atë", tha ministri indonezian i transportit, Ignatius Jonan.

Në aeroportin indonezian, të afërmit dhe miqtë e pasagjerëve u mblodhën rreth një ekrani për të marrë informacione mbi avionin.

"Shpresoj për një mrekulli dhe lutem që Perëndia t’i shpëtojë të gjithë" tha një mik i një pasagjeri.

Kompania ajrore thotë se në bordin e avionit Airbus A320 ishin 149 pasagjerë indonezianë, tre koreanojugorë, një person nga Singapori, një nga Malajzia dhe një nga Britania. Ekuipazhi përbëhej nga gjashtë indonezianë dhe një bashkëpilot francez.

"Ne po monitorojmë nga afër gjendjen dhe do të shohim se çfarë masash mund të marrë qeveria jonë, duke përfshirë dërgimin e një ekipi të reagimit të shpejtë. Na duhet gjithashtu të identifikojmë shtetasit e Koresë së Jugut, të cilët ishin në bord, të kontaktojmë familjet e tyre dhe të marrim masa për tu qëndruar pranë", thotë zyrtari i qeverisë së Koresë së Jugut, Lee Jeong-Gwan.

Avioni operohej nga AirAsia në Indonezi, një njësi e kompanisë AirAsia me qendër në Malajzi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG