Lidhje

Teknologjia për gjetjen e avionëve të humbur


Sot është dita e shtatë që nga zhdukja e avionit të linjës ajrore Malaysia Airlines me numër fluturimi 370, me 239 pasagjerë në bord. Në vazhdim do t’ju njohim me teknologjinë, përmes së cilës mund të gjendet, një avion I humbur.

Në kushtet kur satelitët përshkojnë mbarë globin dhe kur përdoren gjerësisht sistemet GPS në makina, apo telefona celularë, si mund të zhduket pa lënë gjurmë një avion i madh?

Konsulenti për sigurinë e aviacionit, John McGraw, thotë se kjo është më e lehtë se sa mendohet.

“Njerëzit kanë përshtypjen se çdo avion, edhe kur është duke fluturuar mbi oqean, është brenda rrezes vëzhguese të radarëve, të monitoruara nga njerëzit. Por nuk ndodh kështu. Radarët nuk kanë një rreze aq të gjatë.”

Por zoti McGraw thotë se avionit Boeing 777 ka mjaft teknologji që ndihmojnë në gjetjen e vend-ndodhjes së tij.

Sistemet e avionëve transmetojnë automatikisht lartësinë, kushtet e motit, pozicionin dhe shpejtësinë, për kontrollorët e trafikut. Po ashtu, ka të paktën tre mënyra me të cilat piloti mund të komunikojë me zyrtarët. Në se avioni bie në oqean, kutia e zezë, e cila regjistron të dhënat, lëshon një sinjal që kapet deri tre kilometra larg.

Ish-hetuesi i Agjencisë Amerikane të Aviacionit thotë se ka edhe rregullore globale.

“Linja ajrore ka përgjegjësi për “ndjekjen e fluturimit”. Ky është një standart ndërkombëtar, që kërkon të dihet vendodhja e avionit në çdo kohë.”

Por në rastin e avionit të linjës Malaysia Airlines, zoti Daniel thotë se shoqëria nuk ka dhënë shumë informacione.

“Mundet të mos jenë ndjekur standartet… Dhe kjo është shumë shqetësuese, sepse ky është një informacion shtesë, mbi bazën e të cilit hetuesit mund të punojnë për përcaktimin e vendodhjes së avionit.”

Autoritetet po punojnë intensivisht për gjetjen e avionit dhe të kutisë së zezë, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Pas zhdukjes në vitin 2009 të një avioni të linjës Air France, Bordi Amerikan i Sigurisë së Transportit kërkoi vendosjen e një regjistruesi të vazhdueshëm të të dhënave të fluturimit në rastet e emergjencave.

“Në të kaluarën përdorimi i kësaj pajisjeje nuk ka qenë i justifikuar, ngaqë është tepër e kushtueshme dhe ngaqë nuk ka patur shumë aksidente. Por rasti i tanishëm, sigurisht që do të shërbejë si nxitje për ta bërë këtë.”

Autoritetet kanë ende shpresa për gjetjen e avionit të humbur.
XS
SM
MD
LG