Lidhje

Amb. Ismaili: Gjykata e Posaçme temë dominuese në takimet me zyrtarët amerikanë

  • Laura Konda

3-4 vitet e fundit Kosova është përballur me një sërë sfidash të brendshme dhe të jashtme, si njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës, që deri tani janë mbi 100, proceset e integrimit në Bashkimin Europian, bisedimet me Serbinë për normalizizmin e marrëdhënieve, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, përpjekjet kundër elementëve që u janë bashkuar radhëve të grupit ISIS dhe së fundi, çështja më e nxehtë e këtyre kohëve, krijimi i Gjykatës së Posaçme.

Në këto vite me shumë ngjarje, Kosova ka patur përfaqësues të sajin në Uashington, ambasadorin Akan Ismaili.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në ditët e fundit të detyrës së tij, (mandati përfundon më 31 korrik), ambasadori Ismaili thotë se çështja e Gjykatës së Posaçme “dominon të gjitha bisedat dhe komunikimet e diplomatëve kosovarë me zyrtarët e administratës amerikane”.

Ambasadori Ismaili tha se në takimet e përbashkëta është bërë e qartë, se ngritja e Gjykatës është një çështje shumë e rëndësishme për administratën amerikane, për Departamentin e Shtetit, por edhe për organizma të tjera ndërkombëtare. “Është një çështje e vështirë, ata e kuptojnë kompleksitetin e situatës, peshën e saj, por kërkojnë prej nesh që të gjejmë forcën për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj kësaj situate”, - tha ambasadori i Kosovës në Uashington.

Ambasadori Ismaili tha se ka shpresa për zgjidhjen e kësaj çështjeje në seancën e javës së ardhshme të Parlamentit të Kosovës, që, siç u shpreh ai “t’i jepet fund një teme shumë të vështirë për vendin, por që ndihmon shumë në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë”.

Lidhur me pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në radhët e ISIS-it, ambasadori Ismaili tha se kjo çështje është një fenoman global dhe se asaj nuk ka mundur t’i shpëtojë as Ballkani.

Ai tha se numri i pjesëmarrësve ka qenë befasues edhe për qytetarët e Kosovës, por në anën tjetër, reagimi i qeverisë së Prishtinës dhe bashkëpunimi me institucionet amerikane është vlerësuar gjatë takimeve të përbashkëta.

Ambasadori Ismaili do të rikthehet në sektorin privat, ku ishte para se të fillonte punën për qeverinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG