Lidhje

Kina në shënjestër të reklamave në fushatën elektorale në SHBA

  • Zamira Edwards

Kina në shënjestër të reklamave në fushatën elektorale në SHBA

Kina në shënjestër të reklamave në fushatën elektorale në SHBA

Bilanci i forcave në të dyja Dhomat e Kongresit amerikan do të përcaktohet në zgjedhjet e 2 nëntorit. Dhe axhenda e politikave të presidentit Obama do të ndikohet nga rezultati i tyre. Ndërkohë ka dalë një keqbërës i përbashkët në shumë gara politike.

Në reklamat politike në mbarë vendin si demokratët edhe republikanët akuzojnë kundërshtarët e tyre se kanë ndihmuar Kinën, i kritikojnë ata për mbështetje të tregtisë së lirë me atë vend dhe kanë shkurtuar taksat për kompanitë që bëjnë biznes atje.

Vala e zgjedhjeve të 2 nëntorit për në Kongres po afron me shpejtësi. Anketat tregojnë se shqetësimet kryesore të votuesve këtë vit nuk janë luftrat por ekonomia e dobët dhe papunësia. Evan Tracey analizon reklamat politike për një grup jo partiak.

“Kina është një shënjestër e mirë pasi shihet si një ekonomi në rritje. Në shumë mënyra ata shihen si një kërcënim ndaj dominimit të Shteteve të Bashkuara në ekonomi. Ekziston nocioni se Kina po na merr vendet e punës. Apo se Kina po merr paratë e taksave që paguajmë. Kjo është ideja që kandidatët po hedhin në këto reklama”.

Demokrati i Ohajos Zack Space thotë se mbështetja për tregtinë e lirë nga kundërshtari i tij po i dërgon vendet e punës në Kinë.

Një numër analistësh dhe ekonomistësh pohojnë se pretendimet në këto reklama janë të paktën të ekzagjeruara. Dan Griswold në institutin Cato thotë se globalizimi është një realitet dhe amerikanët përfshirë politikanët duhet ta përqafojnë këtë ide.

“Ne jemi sot një ekonomi shërbimi e klasës së mesme. 80 përqind e amerikanëve punojnë në sektorë shërbimi dhe kjo është një tendencë e natyrshme e çdo vendi të pasur industrial. Ne duhet t’ia përshtasim politikat tona këtij realiteti”.

Griswold dhe të tjerë thonë se politikanët duhet të jenë të ndershëm me votuesit dhe punëtorët amerikanë. Ata këmbëngulin se punët e sektorit të prodhimit që kanë kaluar në Kinë nuk ka të ngjarë të kthehen përsëri.

“Një politikan që mundohet të fajësojë Kinën për problemet ekonomike të Amerikës nuk është i ndershëm me zgjedhësit që kërkon të përfaqësojë”.

Por faktet thotë Evan Tracey dhe analistë të tjerë gjenden të fshehura mes komenteve të kandidatëve.

“Në politikë, zbulimi i përmbajtjes është detyrë e fushatës kundërshtare. Pra synimi i fushatës tënde është të japësh versionin tënd, për shembull a kaluan vendet e punës në Kinë për shkak të shkurtimit të taksave? Po. A shkuan paratë për stimulimin e ekonomisë në kompanitë kineze? Absolutisht”.

Në fund të fundit është në duart e votuesve amerikanë të zbulojnë se cila është e vërteta dhe çfarë është ekzagjeruar. Në javët në vazhdim votuesit e dinë punën që kanë për të bërë. Ka qindra reklama që transmetohen tani që portretizojnë Kinën si të keqen e madhe.

XS
SM
MD
LG