Lidhje

Lufta kundër terrorizmit nuk trajton si faktor zhvillimin lokal

  • Scott Stearns

Një studiues islamik thotë se lufta kundër terrorizmit, përqendrohet më shumë se sa duhet tek ekstremistët fetarë dhe jo aq sa duhet te problemi i qeverive të dobëta që nuk arrijnë t’u shërbejnë popullsive rurale. Një studim i ri ambicioz mbulon vende të tilla si Pakistani, Filipinet e deri te Mali dhe Nigeri.

Trupat franceze që luftojnë terroristët të lidhur me al-Kaidën në Mali kanë ndihmuar për vendosjen e rendit në zona që kontrolloheshin nga një kryengritje etnike Tuareg.

Por udhëheqësit vendas, si Moussa Ag Oumeytta, thonë se zgjidhja e krizës do të thotë që të përmirësohet cilësia e jetës në zona rurale.

“Shkaktarët e këtyre problemeve janë varfëria dhe mungesa e zhvillimit në veri”.

Kjo është një sfidë ndërsa komuniteti ndërkombëtar përballet me kërcënime në Afrikë, thotë Presidenti francez François Hollande.

“Në paqendrueshmërinë e Sahelit, ekziston rreziku që të gjitha konfliktet e pazgjidhura mund të ushqejnë terrorizmin. Ne duhet të punojmë me urgjencë për të zgjidhur vuajtjet e popullatës që vazhdojnë që prej 30 vjetësh”.

Në librin e tij shumë të diskutuar “Gjembaçi dhe avioni pa pilot”, akademiku Akbar Ahmed analizon luftën kundër terrorizmit nga Afganistani dhe Pakistani deri në Jemen dhe Somali, nga Filipinet jugore, deri në Mali dhe Nigeri.

“Të gjithë ata përfaqësojnë grupe më të mëdha fisnore që kanë probleme me qeverinë qendrore. Të gjithë reflektojnë fusha ku ka probleme serioze ekonomike përsa i takon burimeve të tyre natyrore. Dhe të gjithë të lënë të kuptosh se ne akoma e keqkuptojmë lidhjen që ata kanë me islamizmin”.

Në luftën e Nigerisë kundër ekstremistëve Boko Haram, profesor Ahmed thotë se qeveria po përqendrohet tek fondamentalizmi islamik për të larguar vëmendjen nga dështimet në drejtim të zhvillimit.

“Për ta thënë ndryshe, qeveria qendrore është kështu në gjendje të tërheqë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën dhe rezultati është që kthehet në një lloj xhihadi, një lloj kryeqëzate, një përballje mes Perëndimit – Krishtërimit – dhe Islamizmit”.

Profesor Ahmed thotë se qeveritë qendrore shpesh kthejnë në armiq, grupe të tëra etnike.

“Kur ndodh një gjë e tillë nga 100 ose 500, ose 5 mijë individë me prirje kriminale, ata i ndjekin nga pas pesë ose 10 ose 15 milionë anëtarë të tjerë të fiseve. Dhe kjo është katastrofë për vendin”.


Por edhe për komunitetin ndërkombëtar.

“Tani që gjendja në Afganistan duket se po qetësohet, kur Pakistani duket se po hyn në rrugën e demokracisë me zgjedhjet e ardhshme, tani Shtetet e Bashkuara po tërhiqen në një luftë tjetër kundër terrorizmit. Dhe i gjithë ky cikël duket se po rifillon përsëri në Sahel”.

Profesor Ahmed thotë se ndërprerja e këtij cikli do të thotë që duhet rishikuar lufta kundër terrorizmit.

“Nëse problemi vjen nga kultura, rregullat dhe zakonet fisnore, atëherë edhe zgjidhja aty gjendet, jo tek feja dhe vargjet e Kuranit”.

Profesor Ahmed propozon të ndërmerren përpjekje për zgjidhjen e tensioneve mes qeverive të dobëta qendrore dhe grupeve të pakicave etnike në periferi të tyre.
XS
SM
MD
LG