Lidhje

6 të vdekur dhe 7 të plagosur në Kukës


Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, në Verilindje të Shqipërisë. Si pasojë e humbjes se drejtimit, furgoni i linjës me 13 udhëtarë, që lëvizte në drejtim të qytetit të Kukësit, ka dalë nga rruga duke rënë poshtë në një distancë që mendohet të jetë më shumë se 50 metër. Për pasojë, kanë humbur jetën 6 përsona, ndërsa 7 të tjerë janë plagosur.

Sipas policisë vendore, aksidenti ndodhi rreth orës 6 e 40 minuta në vendin e quajtur Ura e Topojanit, në një rrugë malore dhe të pa mirëmbajtur. Po sipas këtij burimi, tre persona humbën jetën në vendin e aksidentit, ndërsa tre të tjerë gjatë transportit për në spitalin e qytetit të Kukësit.

Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur me shpejtësi dy helikopterë të transportit mjeksorë të Ministrisë së Shendetësisë për të siguruar transportin e të plagosurve për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Por vetëm njëri është transportuar me helikopter, ndërsa tre të tjerët me autoambulancë.

Të plagosurit i janë nënshtruar menjëherë ndërhyrjeve mjeksore nga ekipet e specializuara të Spitalit të Traumës. Sipas mjekve, dy prej të aksidentuarve janë në gjendje shumë të rëndë, ndërsa dy të tjerët mendohet
se janë jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti i sotëm në Kukës është një ndër më të rëndit, që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Çdo vit, në aksidentet rrugore humbin jetën më shumë se 300 përsona, ndërsa mbesin të gjymtuar disa qindra të tjerë. Sipas ekspertëve, shkak i numrit të madh të aksidenteve rrugore janë gjendja e rënduar e rrugëve, mungesa e sinjalistikës, gjendja jo e mirë e automjeteve si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve.
XS
SM
MD
LG