Lidhje

Aksidenti në Mal të Zi, kthehen të plagosurit

  • Pëllumb Sulo

Mbrëmjen e së shtunës kanë arritur në Shqipëri përmes pikëkalimit kufitar të Muriqanit, 30 shtetasit që u aksidentuan teksa udhëtonin me një autobuz në territorin e Malit të Zi.
Mësohet se një nga katër të plagosurit, që ndodhen në gjendje më të rëndë se të tjerët, po mbahet per trajtim të mëtejshëm në Mal të Zi. Tre të plagosur të tjerë, mes tyre një fëmijë, u trasportuan të shtunën me autoambulancë për në Shqipëri.
Fëmija mësohet se ka një frakturë në këmbë dhe se, bashkë me një të plagosur tjetër, u transportua për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, një grua e plagosur u transportua drejt spitalit të Gjirokastrës për mjekim të mëtejshëm.
Pjesa më e madhe e të plagosurve, që nuk kanë dëmtime serioze, udhëtuan drejt Shqipërisë me automjetet private të familjarëve të tyre.
Vetëm pak orë pas aksidentit të së premtes, të plagosurit u vizituan në spitalin e Tivarit nga Ministri shqiptar i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Aksidenti i rëndë, u regjistruar pasditen e të premtes në vendin e quajtur Ura e Merkotit, në aksin rrugor që lidh Tivarin me Muriqanin.
Autobuzi që u aksidentua, po lëvizte në itenerarin Dubrovnik-Shqipëri dhe kishte në bord 52 turistë nga Shqipëria.
Në aksident humbi jetën një shtetase shqiptare e moshës 25 vjeçare.

Rruga Tivar-Muriqan, e gjatë rreth 30 km, edhe pse cilësohet si rrugë ndërkombëtare, nuk i plotëson normat më elementare për qarkullimin e automjeteve. Rruga ka probleme serioze dhe vazhdimisht është bërë shkak për aksidente tragjike.

XS
SM
MD
LG