Lidhje

Paketë masash për frenimin e aksidenteve


Dy ministrat e qeverisë prezantojnë ndërhyrjet për të rritur sigurinë rrugore. Burgim 10 ditë kush drejton mjetin i dehur ose pa patentë. Do ndalohen furgonat për transportin ndërqytetas

Në Shqipëri Qeveria pritet të kalojë një paketë të gjerë masash për të rritur sigurinë rrugore. Paketa, sic shpjeguan sot ministri i Transporteve Edmond Haxhniasto dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri parashikon ndërhyrje në legjislacion, në kodin rrugor por edhe atë penal, duke kërkuar ndëshkime më të forta deri edhe dhjetë ditë burg për drejtuesit e mjeteve të kapur në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi. Ndërkohë të dy ministrat paralajmëruan edhe ndërprerjen e shpejtë të shërbimit të transportit ndërurban përmes furgonave.
Masa për pakësimin e aksidenteve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Numri i lartë i aksidenteve në rrugët e vendit ku cdo vit humbasin jetën mbi 300 persona ndërsa shumë të tjerë mbeten të plagosur e shpesh me pasoja të parekuperueshme, ka nxitur qeverinë që të parashikojë një ndërhyrje me një paketë prej të paktën 60 masash që prekin një sërë fushash. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri shpjeguan sot se bëhet fjalë për ndërhyrje ligjore, në kodin rrugor, në kodin penal, por edhe në akte të tjera.

“Qëllimi i kësaj pakete është që të krijojmë një siguri më të madhe në rrugët e vendit dhe do të merremi me të gjithë elementët përbërës që e realizojnë këtë qëllim. Do të merremi me vetë rrugën, do të merremi me makinën, me automjetin, do të merremi me drejtuesit e automjeteve, do të merremi me zbatimin e ligjshmërisë, do të merremi me aftësimin për ndërhyrje në raste emergjence, raste aksidentesh, do të merremi edhe me ndërgjegjësimin e publikut, pasi mendojmë se para së gjithash se kjo është një çështje e ndërgjegjësimit të publikut për trajtimin e një problemi, do të thosha me përmasa kombëtare”, tha ministri Haxhinasto.

Masat parashikojnë edhe forcimin e rregullave të testimit për dhënien e dëshmive të drejtimit të automjeteve apo dhe kontrollet teknike ndaj tyre. Ndërkohë që do të rriten e forcohen edhe ndëshkimet ndaj shkelësve: “Unë, dje, kam dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë propozimin për ndryshim në Nenin 291 të Kodit Penal, duke përcaktuar si masë minimale të dënimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, 10 ditë heqje lirie. Të drejtosh mjetin në gjendje të dehur ose pa patentë, nuk është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, por është vepër penale”, deklaroi ministri Tahiri.

Një tjetër elemnt i kësaj pakete sic shpjeguan dy ministrat, do të jetë edhe rregullimi i transpostit ndërurban i dominuar nga furgonat, të cilët sic shpjeguan ministrat funksionojnë jashtë licencës duke qenë se ato duhet të veprojnë si taksi e jo si linja të rregullta ndërurbane. Ministri Tahiri foli për një ndërhyrje të menjëhershme: “Do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e transportit publik ndërqytetars, duke eliminuar njëherë e mirë transportin me furgon, të cilët në vlerësimin tonë përbëjnë shkak për aksidente, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve”.

Që nga viti 2000 deri në fund të viti të shkuar llogaritet të jenë 4350 persona që kanë humbur jetën në aksidente. Janarin që lamë pas 13 të tjerë mbeten të vrarë e mbi 370 të plagosur, ndërsa fundjavën e shkuar 11 persona humbën jetën në dy akidente tragjike në Kukës dhe në Sarandë.
XS
SM
MD
LG