Lidhje

Aktivistët kundër përdorimit të mjeteve shpërthyese në vendbanime

  • Liza Shlajn

Aktivistët kundër përdorimit të mjeteve shpërthyese në vendbanime

Aktivistët kundër përdorimit të mjeteve shpërthyese në vendbanime

Armët plasëse, përfshirë bombat ajrore, autobombat, raketat dhe mortajat vrasin dhe gjymtojnë mijëra civilë çdo vit. Tetë grupe humanitare formuan kohët e fundit një organizatë të re për të kufizuar përdorimin e këtyre armëve vdekjeprurëse nga qeveritë dhe kryengritësit në zonat e populluara urbane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Liza Shlajn njofton nga Gjeneva, ku u themelua i ashtuquajturi Rrjeti Ndërkombëtar mbi Armët Shpërthyese.

Bombardimet e fundit mbi civilët në konfliktet në Libi, Bregun e Fildishtë dhe Gaza nxjerrin në pah vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga mjetet shpërthyese në zonat e populluara.

Përdorimi i armëve plasëse në qendrat e qyteteve të Libisë nga ana e forcave qeveritare dhe grupeve kryengritëse ka shkaktuar shumë dëme. Muajin e kaluar, nga bombardimi i një tregu në qytetin më të madh të Bregut të Fildishtë, Abixhan, u vranë deri në 30 civilë dhe u plagosën rreth 60 të tjerë.

Përdorimi i theksuar kohët e fundit i armëve shpërthyese në zonat e populluara të Gazës dhe Izraelit ka rezultuar në shtimin e viktimave civile, veçanërisht fëmijëve.

Ester Kan është bashkërenduese e hulumtimeve pranë qendrës “Veprim ndaj Dhunës me Armë” dhe autore e një studimi mbi armët shpërthyese në zonat e populluara. Ajo thotë se ndikimet e këtyre mjeteve janë shpesh të rënda dhe pa dallim.

“Kur zonat e populluara bombardohen, deri në 90 përqind e viktimave janë civilë. Në gjashtë muajt e fundit, të paktën 10 mijë civilë janë vrarë dhe plagosur me armë shpërthyese në zonat e populluara. Disa nga këto viktima po shkaktohen në vende për të cilat dëgjojmë çdo ditë në lajme, si Afganistan, Irak dhe Libi. Por ka probleme të mëdha edhe në vende si Birmania, Meksika dhe Sudani, ku kemi dëgjuar më pak”.

Zonja Kan thotë se dëmtimet e civilëve nga këto mjete shpërthyese janë të papranueshme. Në të njëjtën kohë, ajo thotë se qeveritë kanë dështuar të arsyetojnë vlerën e tyre ushtarake.

Ajo me kolegun Tomas Nesh nga Rrjeti Ndërkombëtar mbi Armët Shpërthyese u kërkojnë shteteve që të veprojnë në mënyrë transparente.

“Është përgjegjësi e qeverive që të masin ndikimin e veprimeve të tyre dhe të bëjnë një vlerësim serioz dhe të sinqertë para se të ndërmarrin sulme, nëse ato do të jenë të papranueshme në aspektin e dëmeve me civilëve”.

Ndonëse nuk mund të dihet saktë se sa nga viktimat janë fëmijë, Nick Martlu nga organizata “Save the Children” thotë se sipas provave ata përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të vrarëve e të plagosurve. Zoti Martlu shton se fëmijët përjetojnë vuajtje më të rënda fizike se sa të rriturit nga armët shpërthyese.

“Trupat e fëmijëve janë më pak të mbrojtur se sa trupat e të rriturve. Shpërthimet shkaktojnë plagë të rënda, që është vështirë të shërohen. Shërimi mund të jetë i pjesshëm, meqë fëmijët janë ende në rritje. Por, dëmi nuk është vetëm fizik. Fëmijët e dëmtuar nga një predhë mortaje ose nga një mjet shpërthyes i improvizuar kanë më shumë të ngjarë që të shfrytëzohen ose neglizhohen. Trauma emocionale do të jetë më e madhe, sepse fëmija është ende në fazën e zhvillimit. Madje, fëmijët e prekur nga kjo lloj dhune mund të kenë më shumë vështirësi për t’u përqëndruar në shkollë”.

Rrjeti Ndërkombëtar mbi Armët Shpërthyese mund të jetë një organizatë e re. Por anëtarët e saj janë veteranë të betejave të mëparshme kundër armëve, që shkaktojnë dëme tepër të mëdha mes civilëve.

Disa nga këto grupe, si Handicap International, Human Rights Watch dhe Oxfam, luajtën një rol të madh në lëvizjen që nxiti traktatin për ndalimin e minave tokësore më 1997. Ata gjithashtu patën gisht në arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare më 2008 që kufizon përdorimin e bombave thërmuese.

Rrjeti beson se mund të arrijë sukses të ngjashëm edhe në kufizimin e përdorimit të mjeteve shpërthyese.

XS
SM
MD
LG