Lidhje

Aktivitetet mendore pakësojnë rrezikun prej sëmundjeve të trurit


Aktivitetet mendore pakësojnë rrezikun prej sëmundjeve të trurit
Aktivitetet mendore pakësojnë rrezikun prej sëmundjeve të trurit

Një studim i ri tregon se njerëzit që gjatë jetës së tyre kanë kryer veprimtari stimuluese të trurit kanë nivele më të ulëta të proteinave të depozituara në tru, të cilat lidhen me sëmundjen e Alcajmerit. Zbulimet e reja mbështesin kërkime të mëparshme që sygjeronin se leximi, shkrimi dhe lojrat mund të ulnin rrezikun prej sëmundjes mendore.

Shkencëtarët punuan me një grup vullnetarësh mbi 65 vjeç, të cilët nuk shfaqnin simptoma të sëmundjes së Alcajmerit.

Ata u pyetën se sa shpesh gjatë jetës së tyre kryenin veprimtari stimuluese të trurit. Ata gjithashtu iu nënshtruan një skanimi të trurit, i cili mund të identifikojë beta-amiloidet e depozituara. Ato depozita gjenden në trurin e njerëzve që kanë Alcajmerin.

Shkencëtarja e Universitetit të Kalifornisë në Berkeley Susan Landau thotë se studimi tregoi një lidhje midis sasisë të këtyre depozitave dhe aktiviteteve stimuluese të trurit të kryera gjatë jetës.

“Njerëzit që kishin qenë më tepër aktivë nga ana mendore gjatë jetës së tyre kishin sasitë më të pakta të amiloideve në trurin e tyre. Pra, bazuar mbi këtë lidhje midis veprimtarive mendore të shpeshta dhe sasive të ulëta të amiloideve, ne mendojmë se këta njerëz do të jenë më pak të rrezikuar nga sëmundja e Alcajmerit.”

Duhet patur parasysh se personat pjesëmarrës në këtë studim, shumica e të cilëve mbi 70 dhe 80 vjeç, nuk shfaqnin ndonjë shenjë të Alcajmerit. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të zbulojnë lidhjen midis depozitave të beta-amiloideve në tru dhe sëmundjes mendore.

Mosha e madhe dhe diagnostikimi i sëmundjes në pjesëtarë të tjerë të familjes konsiderohen si elementë që ndikojnë në rritjen e rrezikshmërisë, por këto faktorë janë jashtë kontrollit të individit. Dhe nëse truri i personit nuk ka qenë shumë aktiv deri në atë moment, znj. Landau thotë se nuk është tepër vonë për të rritur aktivitetin mendor.

“Jo, absolutisht jo. Unë mendoj se stimulimi mendor është i dobishëm në çdo moshë. Por ajo që studimi ynë tregon është se sa më shumë aktiv nga ana mendore të ketë qenë një person gjatë jetës së vet, aq më mirë është”.

Shkencëtarja Landau thotë se ajo dhe kolegët e saj kanë në plan të vazhdojnë të ndjekin mbarëvajtjen e vullnetarëve në këtë studim në moshë më të avancuar, për të parë nëse ka ndonjë lidhje midis aktiviteteve mendore të kryera gjatë jetës dhe simptomave të Alcajmerit, kur disa prej tyre të preken nga parregullsi mendore në vitet në vazhdim. Kjo mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë lidhjen midis aktiviteteve që stimulojnë trurin, beta-amiloideve të depozituara dhe parregullsisë mendore.

Studimi i shkencëtares Susan Landau është botuar në internet në faqen elektronike "Archives of Neurology" (Arkivat e Neurologjisë), të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.

XS
SM
MD
LG