Lidhje

Kosovë: Vazhdon shkëmbimi i kritikave Dell – Surroi

  • Leonat Shehu

Ambasadori amerikan Christopher Dell ka reaguar në lidhje me shkrimet e publicistit Surroi

Ambasadori amerikan ne largim, Christopher Dell është kundërpërgjigjur në lidhjet me letrat e publicistit Veton Surroi. Zoti Surroi kishte reaguar me një seri shkrimesh ndaj një interviste të ambasadorit Dell dhënë gazetës Kosova Sot, në të cilën ai përmend disa hollësi nga një darkë private mes ambasadorit, kryeministrit Hashim Thaçi dhe publicistit Surroi.


Fillimisht në intervistë, ambasadori jep rrëfimin e tij sipas të cilit në takim publicisti Surroi kishte kërkuar postin e presidentit. Sipas ambasadorit Dell, zoti Surroi madje është lutur për postin e presidentit gjatë darkës në shtëpinë e ambasadorit diku në vjeshtën e vitit 2010. Ambasadori Dell e ilustron këtë pohim me, siç ka thënë ai, edhe ndryshimin e qasjes së kompanisë Koha ndaj qeverisë së Kosovës, në periudhën kur pretendohet të jenë diskutuar këto çështje dhe më pastaj, qasje që sipas tij, është përcaktuar nga synimet e zotit Surroi për t’u bërë president.

Por, zoti Surroi në shkrimet e tij në Kohën Ditore, ofron një tjetër shpjegim për rrjedhën e ngjarjeve. Zoti Surroi thotë se ishte Ambasadori ai që ka këmbëngulur se do të ishte në të mirë të vendit dhe përfaqësimit të tij në botë, që ai të bëhej president, pas dorëheqjes së ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe shton se ai ka qenë dakort me këtë ofertë, por mohon që të jetë lutur, për këtë post, apo të jetë "zvarritur" për të, ashtu siç është interpretuar në shqip varianti që ofron ambasadori Dell.

Po ashtu zoti Surroi pretendon se në darkë ai është ftuar nga vetë ambasadori Dell. Sipas zotit Surroi, në takim ambasadori ka mbrojtur argumentin se zgjedhja e tij do të ndihmonte për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ, që sipas tij, ka kryeministri Thaçi në botë.

Duke shpjeguar versionin e tij të takimit, zoti Surroi thotë se ai nuk kishte besim tek kryeministri Thaçi, prandaj biseda për modalitet e zgjedhjes së tij si president duhej të zhvillohej në praninë e ambasadorit amerikan.

Zoti Surroi në shkrimet e tij, ngre edhe kritikën e përmendur edhe më parë ndaj ambasadorit Dell, atë të, siç thuhet, përfshirjes së tepruar të ambasadorit në zhvillimet në Kosovë.

Ndërkaq, ambasadori Dell në një letër botuar në të përditshmen Kosova Sot përmend mbështetjen amerikane për kompaninë Koha ndërsa përplasjen me zotin Surroi e krahason me subjektin e veprës Magjistari nga Ozi. Sipas zotit Dell, miqësia ndërmjet tij dhe zotit Surroi mori tatëpjetën për shkak të siç thotë ai, zhgënjimit të zotit Surroi me ambiciet e tij politike.

Ai thotë se shkrimet e zotit Surroi vërtetuan synimet e tij për t'u bërë president i Kosovës. Ai i kujton zotit Surroi kërkesat e tij të shkurtit të vitit 2011 për një president konsensual dhe sulmin e mëvonshëm ndaj veprimeve që synonin pikërisht një zgjidhje të tillë.

Ajo që bën përshtypje në këtë shkëmbim mes publicistit Surroi dhe ambasadorit amerikan, është nxjerrja e bisedave private ne publik. Ajo që shumë njerëz pyesin është se cili është shkaku i kësaj rrjedhjeje, gjera që deri tani jemi mësuar t’i shohim nga Wikileaks. Të dyja këto personalitete dikur ishin miq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG