Lidhje

Akuza publike mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit mbi videon e regjistruar

  • Armand Mero

Akuza publike mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit mbi videon e regjistruar

Akuza publike mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit mbi videon e regjistruar

Beteja mes ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe ish minisrit të ekonomisë Dritan Prifti po zhvillohet tani edhe jashtë sallës së gjyqit. Dy ditë më parë biznesmeni Bekim Halilaj, për të cilin flitet edhe në video lidhur me një ankand nafte, deklaroi se ankandi kishte qenë i paracaktuar, ishte dhënë disa ditë përpara se të zhvillohej biseda në video dhe se atë e kishte fituar një kompani, pronari i së cilës ishte sipas tij ortak me bashkëshoren e zotit Prifti në një tjetër kompani, Tea Construction.

Nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sekretari i përgjithshëm Luan Rama tha se këto zhvillime po provojnë se akuzat e zotit Prifti janë mashtrime:

“Vetë dëshmitari i prokurorisë, zoti Bekim Halilaj, ka provuar dje me një mori shkresash dhe dokumentesh zyrtare që akuzat e zotit Prifti janë jo vetëm një mashtrim por edhe një manipulim i konkretizuar, kjo edhe me atë që dokumentohet edhe ne video-përgjimin e tij”.

Duke ju referuar lidhjeve që sipas biznesmenit Halilaj fituesi i ankandit për blerje nafte kishte me gruan e zotit Prifti, zoti Rama tha se:

“Mjafton ky fakt për të kuptuar lidhje, marrëdhënie, konflikt interesi, pazare korruptive apo afera korruptive që nga zhvillimet e djeshme e shndërrojnë tashmë procesin gjyqësor ndaj zotit Meta në proces të mbyllur për të çelur një proces gjyqësor ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë”.

Por nga ana e tij ish ministri Prifti hodhi poshte lidhjet mes kompanisë fituese dhe bashkëshortes së tij në kohën e zhvillimit të tenderit:

“Kompania Tea për të cilën në fakt akuzohem ka konkurruar në ankandet e Albpetrolit për shitjen e naftës bruto. Ka patur ofertën më të mirë dhe çmimin më të lartë nga të gjithë konkurruesit. Kjo kompani ka blerë aksionet vetëm në shkurt të vitit 2011 dhe nuk ka patur asnjë aksion në kompaninë e bashkëshortes timë më përpara apo gjatë kohës në të cilat unë kam ushtruar funksionet e mia si ministër”.

Zoti Prifti tha se e kish njohur biznesmenin Halilaj përmes zotit Meta dhe se është një person me precedentë penal:

“Bekim Halilaj është i dënuar një herë me vendim të gjykatës së shkallës së parë me tre vjet burgim, për mashtrim e jo për gjë tjetër. Sepse i ka marrë me qindra mijëra dhe milione lekë borxh njerëzve dhe është zhdukur për disa vite në Greqi. Po këta janë njerëzit që i dalin në mbrojtje Ilir Metës. Me këta njerëz kërkon ai të manipulojë opinionin kundër meje apo kundër të vërtetës. Nuk mund të vazhdohet me këta mashtrues që i hedhin hi syve drejtësisë dhe gjithë shqiptarëve duke bërë dëshmi të rreme në gjykatë. Ka dëshmi të tjera të tyre të bëra në prokuori dhe të tjera të bëra përpara gjykatës”.

Për partinë e zotit Meta, siç u shpreh sekretari i përgjithshëm Luan Rama, duhet që drejtësia të fitojë mbi falsitetin:

“Ilir Meta nuk është në betejë ligjore dhe politike me drejtësinë por në respekt të autoritetit të organeve të drejtësisë Ilir Meta është në betejë për drejtësinë”.

Por për zotin Prifti:

“nëse Ilir Meta është për drejtësi pse nuk pranon që ekspertizën ta bëjë një shtet i Bashkimit Evropian, një shtet që nuk blihet. Ta zgjedhi vetë, cilindo shtet, që ta bëjë me policinë e saj shkencore dhe ti thuhet të gjithë shqiptarëve se kush është vërteta”.

Zoti Prifti tha se është gati të përballet në çdo moment me zotin Meta. Ky i fundit, i akuzuar për korrupsion, ndodhet tanimë në një pozicion disi më të favorshëm pasi ekspertët vendas thanë se në materialin video kishte mundësi të mëdha ndërhyrjeje dhe se në shumë pjesë ishte e pamundur të realizohej pastërtia audio e bisedës. Prokuroria në fakt kërkoi një ekspertim të ri për moskompetencë të ekspertëve vendas, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë. Më parë trupi gjykues kishte refuzuar të njihte vlefshëmrinë e ekspertizës së bërë nga dy ekspertë të huaj, një anglez dhe një amerikan, duke i dhënë kështu që në fillim, një kthesë rrjedhës së procesit ndaj ish zëvendëskryeministrit. Zoti Prifti nga ana e tij edhe në dëshminë në gjykatë i është përmbajtur temave të bisedës së regjistruar duke këmbëngulur se ndaj videos nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

XS
SM
MD
LG