Lidhje

Al-Kaida më pak e aftë për të financuar sulme të përmasave të mëdha


Al-Kaida më pak e aftë për të financuar sulme të përmasave të mëdha
Al-Kaida më pak e aftë për të financuar sulme të përmasave të mëdha

Vdekja e udhëheqësit të al-Kaidës Osama bin Laden ka të ngjarë, sipas analistëve, të ketë një ndikim negativ në aftësitë e organizatës për të grumbulluar fonde dhe për të financuar sulme të një shkalle të gjerë në të ardhmen. Osama bin Laden ishte fytyra e terrorizmit ndërkombëtar dhe fuqia e tij financiare ndihmoi në grumbullimin e fondeve për muxhahedinët në luftën kundër pushtimit sovjetik në Afganistan në vitet 80.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, bin Laden u bë simboli i përdorur në mbarë botën për të grumbulluar para për al-Kaidën dhe degët e saj në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Stuart Levey ka qënë nënsekretar për terrorizmin dhe zbulimin financiar në Departamentin amerikan të Thesarit dhe tani punon në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Osama bin Laden ishte figura kryesore frymëzuese për al-Kaidën si për rekrutimin e anëtarëve të rinj ashtu edhe për financimin e al-Kaidës. Pra kjo ikonë ka humbur".

Analistët thonë se al-Kaida e merr shumicën e financimeve të saj nga donatorë të pasur individualë që jetojnë në Arabinë Saudite, Kuvajt, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveritë e këtyre vendeve janë përpjekur të ndalin financimet dhe ekspertët thonë se në vitet e fundit ka qënë e vështirë për al-Kaidën të grumbullojë shuma të mëdha parash.

Sipas zbulimit, al-Kaida po has vështirësi në pagimin e trajnimin e militantëve të saj dhe në financimin e familjeve të tyre. Mathew Levitt, drejtor i programit të kundërterrorizmit dhe zbulimit në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërt, thotë se vdekja e bin Ladenit gjatë sulmit të forcave amerikane në Pakistan hap derën që organizata të pësojë humbje të mëtejshme.

"Kjo është një mundësi e madhe për ne për t’i dhënë goditje të tjera rrjetit të al-kaidës në aspekte të ndryshme të organizatës që nga financimi e më tej".

Administrata Obama njoftoi se gjatë sulmit në Pakistan, forcat amerikane mblodhën informacione zbulimi që mund të ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit. Mediat njoftojnë se kjo përfshin një numër të madh kompjuterash, hard disqe dhe pajisje të tjera. Analisti Stuart Levey thotë:

"Shfrytëzimi i informacioneve të mara gjatë sulmit është një potencial i madh përsa i takon financimit terrorist dhe jo vetëm për të por për të ndjekur rrjetin në përgjithësi në varësi të informacioneve që kanë këta kompjutera dhe pajisjet e tjera që u morën".

Një anketë e fundit e bërë nga Qendra Kërkimore Pew thotë se mbështetja për bin Ladenin mes njerëzve në vendet me shumicë myslimane ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Analistë si Matthew Levitt thotë se revoltat e fundit në vendet arabe kanë ofruar një alternativët të re më tërheqëse se sa dhuna dhe gjakderdhja e predikuar nga al-Kaida.

"Në këtë rast pamë arritje të të rinjve përmes protestave paqësore disa javore në vende si Egjipti, që al-Kaida dhe degët e saj nuk mundën të arrinin përmes dhunës për shumë vite".

Zyrtarët e mëparshëm dhe të tanishëm të Departamentit të Thesarit thonë se vdekja e bin Ladenit është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të pakësuar donacionet për al-Kaidën. Por Stuart Levey thotë se është e rëndësishme të vazhdohet trysnia mbi al-Kaidën dhe organizatat e tjera terroriste.

"Vdekja e bin Ladenit është një zhvillim i madh për kundërterrorizmin në përgjithësi dhe për financimin e terrorizmit. Por ky nuk është fundi i betejës. Është vetëm një fitore dhe mendoj se është e rëndësishme të vazhdojmë përpjekjet".

Analistët thonë se përpjekjet kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i kanë detyruar aktivitetet financuese të al-Kaidës të decentralizohen. Ata thonë se degëve të saj u duhet tani të grumbullojnë vetë fonde dhe të kryejnë operacione pa ndihmën e organizatës kryesore.

XS
SM
MD
LG