Lidhje

Al-Kaida në Jemen merr përgjegjësinë për sulmin tek Charlie Hebdo


Dega e al-Kaidës në Jemen mori zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin e javës së kaluar në zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo në Paris, duke thënë se ishtë një “akt hakmarrjeje” në emër të Profetit Muhamed.

Charlie Hebdo boton rregullisht artikuj kundër fesë dhe disa herë ka botuar karikatura të Profetit Muhamed, një veprim që shumë myslimanë e konsiderojnë sakrilegj.

Në një video të nxjerrë në internet sot, një person që e identifikoi vetet si Nasr al-Ansi, një nga udhëheqësit kryesorë në Gadishullin Arabik tha se grupi i tij kishte planifikuar dhe financuar sulmin ndaj Charlie Hebdo që shkaktoi vdekjen e 12 personave.

Policia franceze i vrau të premten autorët e sulmit, Said and Cherif Kouachi, në të njëjtën ditë kur një tjetër ekstremist islamik Amedy Coulibaly, vrau katër viktima hebraike në një supermarket në lindje të Parisit para se të vritej nga policia. Coulibaly kishte vrarë një police një ditë më parë.

Udhëheqësi i al-Kaidës në Jemen tha se Coulibaly nuk ishte pjesë e grupit dhe veprimet e tij ishin një koincidencë.

Ndërkohë Charlie Hebdo nxorri numrin e parë që nga sulmi i vitit të kaluar me një kopertinë ku shfaqej Profeti Muhamed i përlotur dhe me diciturën “Jua kam falur të gjitha”. Të gjitha kopjet e revistës u shitën në mbarë Francën.

"Shkova në katër kioska para kësaj. I kishin shitur të gjitha kopjet. Pra merreni mend sikur të jetë kështu për katër, ose pesë ditë të tjera. Më thanë se janë duke e botuar revistën çdo ditë dhe se duan që t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e njerëzve që duan të kenë një kopje të saj”, tha Louis Ochon, banor i Parisit.

Numri i sotëm i “Charlie Hebdo” kishte një tirazh prej 3 milionë kopjesh, një rritje e jashtëzakonshme nga 60 mijë kopje në javë që del ajo zakonisht.

Kryeredaktori i revistës ka thënë se kopjet e shtypura do të qëndrojnë në shitje për dy javë.

"Për mua është e rëndësishme ta blej, pasi e kam për herë të parë, që blej revistën Charlie Hebdo dhe ndoshta do të vazhdoj ta blej atë edhe në të ardhmen; po ashtu, duke patur parasysh situatën e tanishme, mendoj se të gjithë francezët do ta blejnë këtë revistë”, tha Claude Durand.

Numri i parë i gazetës Charlie Hebdo që doli sot në treg që pas masakrës së javës së kaluar u shit në mbarë Francën, ndërsa u kritikua nga vendet që kundërshtojnë ilustrimin e profetit musliman Muhammad në faqen kryesore.

Media turke njoftoi se policia të mërkurën hyri në shtypshkronjat e medias së shkruar që do të publikonin pjesë nga numri i ri i gazetës Charlie Hebdo.

Por edhe pas kësaj disa nga materialet e fundit të gazetës Charlie Hebdo u botuan në gazetën turke Cumhuriyet. Por faqja e parë e debatueshme e gazetës me karikaturën e profetit Muhammad nuk u botua në faqen e parë, por në faqet e brendshme të gazetë mbi dy opinione redaksionale.

Disa klerikë muslimanë, përfshi Muftiun e Madh të Jeruzalemit, e kritikuan nurmin e fundit të gazetës.

Ndërkohë, sot u arrestua komediani francez Dieudonne, nën akuzat për mbrojtjen e terrorizmit. Ai kishte publikuar një status në mediat sociale, që mendohet se shpreh mbështetje për autorët e sulmeve të javës së kaluar. Dieudonne është bërë famëkeq për shkak të deklaratave të tij publike në të shkuarën, si dhe për një gjest, për të cilin disa mendojnë të jetë anti-semit, ngaqë i ngjan përshëndetjes naziste.

XS
SM
MD
LG