Lidhje

Kërcënimet e al-Kaidës në Evropë, nënvizojnë strategjinë e saj të re


Kërcënimet e al-Kaidës në Evropë, nënvizojnë strategjinë e saj të re
Kërcënimet e al-Kaidës në Evropë, nënvizojnë strategjinë e saj të re

Kërcënimet terroriste të kohëve të fundit të al-Kaidës në Evropë kanë rritur interesin në përpjekjet e këtij grupi në luftën urbane, siç ndodhi me Lashkar-e-Taibën në sulmet terroriste të Mumbait në vitin 2008. Ekspertët thonë se kërcënimet tregojnë elasticitetin e al-Kaidës. Në të njëjtën kohë, ata thonë se parandalimi i sulmeve të ardhshme do të kërkojë edhe përshtatjen e Perëndimit.

Një sërë kërcënimesh me bomba dhe komplotesh në Evropë, janë aq serioze sa të sjellin ndër mend sulmet e Londrës më shumë se pesë vjet më parë.

Raporte të zbulimit saudit thonë se al-Kaida po planifikonte luftë urbane, sulme të ngjashme me ati Lashkar-e-Taibës në Mumbai në nëntor 2008.

Masat e sigurisë u forcuan në Britani, Francë dhe Gjermani.

Sulmet u parandaluan pasi sulmet amerikane me avionë, në rajonin fisnor të Pakistanit vranë militantë me origjinë gjermane që akuzoheshin se kishin organizuar sulmet.

Ekspertët thonë se kjo thekson tre pika qendrore.

Së pari, se sulmet me avionë ndaj bazave të al-Kaidës në Pakistan mund të jenë shumë efektive për parandalimin e sulmeve të tilla në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, që kërcënimi terrorist sot nuk është një sulm i vetëm, i koordinuar. Dhe se al-Kaida po e përshtat vazhdimisht strategjinë me rrethanat e reja.

Kjo tregon se al-Kaida po gjen udhëheqës dhe rekrutë të rinj nga Perëndimi që nuk kanë nevojë për viza për të shkuar në Evropë, thotë analisti Daveed Gartenstein-Ross tek Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

“Udhëheqës të rinj si Ilyas Kashmiri dhe Younis al-Mauretani mblodhën rekrutët përfshirë qytetarë britanikë, francezë dhe gjermanë dhe ndoshta një oficer të forcës ajrore turke për të shkaktuar sulme si ato të Mumbait”.

Komuniteti i zbulimit ka qenë i shqetësuar për një fare kohe se ky lloj zhvillimi mund të ndodhë, thotë analisti Glenn Carle që ka punuar me rreziqet trans-kombëtarë në Këshillin Kombëtar të zbulimit, gjatë administratës së Presidentit Bush.

“Ne i kemi dobësuar. Ata janë gjithashtu të mprehtë dhe të zgjuar, duke iu përgjigjur rrethanave, çka do të thotë që nga nevoja dhe forma, ata do ta transformojnë strukturën e tyre”.

Ekspertët thonë se implikimet afatgjata për këtë evolucion janë arsye për gadishmëri. Udhëheqësit e al-Kaidës po e kuptojnë se ata shumë kollaj mund të shkaktojnë panik tek bota perëndimore me mënyrat e vjetra dhe njëkohësisht ta bëjnë këtë në një nivel global.

“Po të analizosh mundësinë e sulmeve si ai i Mumbait në Evropë, ato do të kenë një ndikim të madh, nëse janë të suksesshme. Dhe siç e mësuan me Mumbain ato nuk janë edhe aq të vështira për t’u realizuar dhe kundërshtari i tyre nuk është edhe aq i përgatitur që mbrohet prej tyre”.

Mbrojtja këtë rrallë duhet të ishte sulm. Sulmet pa pilot në rajonin fisnor të Pakistanit u intensifikuan me shpresën e shkatërrimit të komplotit, që thuhet se u bë i ditur nga një gjerman me origjine afgane, i ndaluar.

Ekspertët thonë se sipas informacioneve të zbulimit, komplotet evropiane tregojnë se ka disa organizata xhihadiste që po përpiqen të sulmojnë perëndimin dhe al-Kaida është një nga shumë kërcënimet.

Por grupe të ndryshme xhihadiste që i përgjigjen Xhihadit të al-Kaidës kundër perëndimit, nuk janë rastësi, paralajmëron analisti Thomas Joscelyn, tek Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive. Kjo, thotë ai, është një strategji e vjetër e al-Kaidës.

“Bin Laden pa potencialin e gjithë atyre grupeve rajonale xhihadiste terroriste dhe sesi mund t’i përfshinte në fushatën e tij”.

Ekspertët thonë se al-Kaida e ka ndryshuar me shpejtësi strategjinë duke përdorur grupe të ndryshme xhihadiste për të bërë komplot me luftën urbane. Çështja është nëse perëndimi mund të reagojë po me aq shpejtësi.


XS
SM
MD
LG