Lidhje

Siri: Jep dorëheqjen kreu i grupit opozitar në mërgim


Lëvizja opozitare e Sirisë ishte e ç’orjentuar të dielën, pasi kreu i grupit kryesor opozitar në mërgim dha dorëheqjen dhe rebelët brenda vendit refuzuan emërimin e një kryeministri të përkohshëm.

Udhëheqësi Koalicionit Kombëtar të Sirisë Mouaz al-Khatib njoftoi dorëheqjen në faqen e tij të Facebook-ut, duke u ankuar se komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë mjaft për të ndihmuar popullin sirian të mbrojë veten nga forcat e presidentit Bashar al-Asad.

Në deklaratën e tij, zoti Khatib tha se ai po mbante premtimin për dorëheqje në qoftë se anëtarët e koalicionit të tij do të shkelnin disa pika delikate. Ai nuk tha se cilat ishin ato.
Zoti Khatib e ka kundërshtuar vendimin e Koalicioni Kombëtar të Sirisë për emërimin e Ghassan Hitto-s, të arsimuar në Shtetet e Bashkuara, në postin e kryeministrit të përkohshëm për territoret e kontrolluara nga rebelët sirianë.

Emërimi i zotit Hitto në një takim të opozitës në Stamboll ka dobësuar autoritetin e zoti Khatib si shef i koalicionit.

Situata brenda opozitës u thellua pasi një zëdhënës i rebelëve brenda Sirisë ka thënë se Ushtria e Lirë Siriane refuzon ta njohë autoritetin e zotit Hitto si kryeministër. Louay Almokdad u ka thënë agjencive perëndimore të lajmeve se zoti Hitto nuk u zgjodh në mënyrën e duhur, sepse nuk pati konsensus për kandidaturën e tij.
XS
SM
MD
LG