Lidhje

Megjithë përparimet, kanceri mbetet sëmundja e dytë me vdekjeprurëse

  • Astrit Lulushi

Megjithë përparimet, kanceri mbetet sëmundja e dytë me vdekjeprurëse

Megjithë përparimet, kanceri mbetet sëmundja e dytë me vdekjeprurëse

Vitin e kaluar nga kanceri u prekën 1.5 milionë amerikanë dhe 560 mijë vdiqën nga kjo sëmundje

Pavarësisht nga përparimet në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, kjo sëmundje vazhdon të jetë shkaktari i dytë kryesor i vdekjeve, pas sëmundjeve të zemrës. Vitin e kaluar nga kanceri u prekën 1.5 milionë amerikanë dhe 560 mijë vdiqën nga kjo sëmundje. Këto prirje bëhen të ditura në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Numrin e këtij muaji, kjo shoqatë ia kushtoi plotësisht studimeve dhe kërkimeve në fushën e kancerit.

Përparim kundër kancerit është bërë në shumë fronte, thotë Susan Gapstur e shoqatës amerikane kundër kancerit: Shkalla e vdekshmërisë mes burrave ra 21 për qind dhe mes grave 12 për qind që nga viti 1991.

Mes burrave kjo rënie duket më e madhe për arsye të pakësimit të numrit të vdekjeve nga kanceri i mushkërive si rrjedhoje e pakësimit të pirjes së duhanit falë fushatave edukative dhe rritjes së taksave të duhanit, thotë Susan Gaptsur. Ajo shton se edhe diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit, zorrës së trashë, dhe i qafës së mitrës kanë bërë që numri i rasteve të vdekjeve nga kanceri të jetë më i ulët.

Sipas të dhënënave, 75 përqind e kancereve zhvillohen a zbulohen mbi moshën 55 vjeç. Për shkak të shtimit të popullsisë dhe shtimit të segmentit të popullatës së të rriturve që do të bëhen më të moshuar, ka të ngjarë që numri i njerëzve me kancer të shtohet nëse nuk merren masa parandaluese. Me një shkallë të tillë prirjeje demografike, ekspertët parashikojnë rrezik nga kanceri për 1 në 2 burra dhe 1 në 3 gra.

Githashtu, të moshuarit ka më pak të ngjarë të trajtohen me kimoterapi pas operimit të kancerit në zorrën e trashë, për asrye të efekteve anësore. Megjithatë, efektet anësore të kimoterapisë tek të moshuarit janë më të pakta se sa tek pacientët në moshë më të re. Shpresa të mëdha gjithashtu ka ngjallur një mënyrë e re e trajtimit me rreze të përqëndruara të kancerit të mushkërive. Katherine De-Angelis e revistës së shoqatës amerikane të mjekësisë, thotë se 11 milionë amerikanë janë gjallë sot, falë kësaj terapie. Por kjo nuk do të thotë se lufta me kancerin ka marrë fund. Ekspertët thonë se kanceri, vërtet ka një emër të vetëm, por format e tij janë nga më të ndryshmet. Mënyra se si paraqitet, se si vepron dhe se si duhet të trajtohet, të gjitha këto e bëjnë sëmundjen e kancerit të komplikuar. Prandaj edhe lufta kundër kancerit, thonë ekspertët, kërkon beteja në shumë fronte, mbështetur nga përvojat e fituara gjatë kërkimeve, zbulimeve dhe trajtimeve.

Zokor kundër kolesterinës, shton rrezikun e dëmtimit të muskujve

Administrata federale e ushqimeve dhe barnave paralajmëron se ilaçi Zokor (Zocor) shton rrezikun e dëmtimit të muskujve.

Zokor (simvastatin) 80 mg., jepet gjerësisht për uljen e nivelit të kolesterinës. Megjithëse dëmtimi muskular e njohur si Myopathy është një efekt anësor i barnave Statin, rreziku për dëmtimin muskular të njohur si Rhabdomyolysis, shtohet për pacientët që marrin Zokor në doza të larta. Rhabdo-myolysis është forma më e rëndë e Myopathis dhe mund të çojë në dëmtimime seroze të veshkave, mosfunskionimin e tyre e deri në vdekje të pacientit.

Shqyrtimi i ilaçit simvastatin që shitet në farmaci nën emrin Zocor kryehet në kuadër të përpjekjeve të agjencisë amerikane të barnave për të vlerësuar sëmundjet muskulare që lidhen me përdorimin e ilaçeve Statin. Simavastatin shtitet në farmaci edhe nën emrin Vytorin kur është i kombinuar me ezetimibe, dhe nën emrin Simcor kur kombinohet me niacin


Planifikim për trajtim mjekësor në prag të vdekjes

Ekspertët thonë se çdo njeri duhet të mendojë se çfarë lloj kujdesi mjekësor dëshiron të ketë kur jetës i afrohet fundi. Kjo nuk është ide e keqe, thotë një studim ku theksohet se parapërgatitja për marrjen e vendimeve të vështira përmirëson cilësinë e jetës.

Një studim i shkencëtarëve në Australi thotë se planifikimi se çfarë duhet bërë kur jetës i afrohet fundi, përmirëson dukshëm kujdesin për pacientin, si dhe pakëson stresin e pjestarëve të familjes.

Në studim u përfshinë rreth 300 pacientë mbi moshën 80 vjeçare që ishin shtruar në një spital të Melburinit nga gushti i viti 2007 deri në mars të vitit 2008. Autorët e studimit i vëzhguan këta pacientë për 6 muaj.

Pacientët e moshuar ishin në gjendje të diskutonin dhe të përcaktonin preferencat mjekësore lidhur me kujdesin që donin të merrnin kur t'u afrohej vdekja.

Studimi arriti në përfundimin se pacientët ndjeheshin më të qetë e të kënaqur kur dëshirat e tyre i kishin përcaktuar dhe dokumentuar, dhe gati për t'u zbatuar kur të vinte koha. Autorët e studimit gjithashtu vunë re një rënie të shkallës së stresit, ankthit e depresionit edhe mes familjarëve të këtyre pacientëve të cilët kishin planifikuar llojin e kujdesit që donin t'u jepej kur të ndodheshin në prag të vdekjes

XS
SM
MD
LG