Lidhje

Shqetësime rreth shtimit të rasteve të lindjeve me operacion Çezarian

  • Astrit Lulushi

Shqetësime rreth shtimit të rasteve të lindjeve me operacion Çezarian

Shqetësime rreth shtimit të rasteve të lindjeve me operacion Çezarian

Organizata Amnesty International e ka cilësuar shtimin e operacioneve çezarian të lindjeve si një krizë maternale të kujdesit shëndetësor

Të dhënat nga Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), tregojnë një rritje alarmante të lindjeve me operacion në Shtetet e Bashkuara. Edhe një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vë në dukje se më 1 në 4 femra në Azi i lindin fëmijët me operacion çezarian. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se lindjet me operacion janë duke u kryer shumë shpesh, duke vënë në rrezik nënën dhe fëmijën.

Laiqa Ahmed kohët e fundit u zhvendos nga Britania në SHBA. Ajo është shtatzëne me fëmijën e saj të dytë dhe shpreson të ketë një lindje të zakonëshme. Por ajo shqetësohet sepse disa nga miqtë e saj i kanë thënë se mjekët amerikanë janë shumë të prirur për të zgjedhur operimin për lindjet.

Mjekët në Britani, thotë Laiqa, e përdorin operacionin vetëm si alternativë të fundit, kur jeta e nënës ose fëmijës është në rrezik. Shqetësimet e saj nuk janë pa arsye. Në vitin 2007, 1 në 3 foshnje në SHBA lindi me operacion çezarian. Kjo është shifra më e lartë se në çdo vend tjetër të industrializuar.

Edhe në botën në zhvillim, numri i lindjeve me operacion nuk është i pakët. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se në Azi, 1 në 4 fëmijë është lindur me operacion. OBSH-ja vlerëson se vetëm 15 përqind e lindjeve kërkojnë ndërhyrje kirurgjike. Por disa mjekë në SHBA thonë se atyre u duhet të jenë të tepër të kujdeshëm për të shmangur një përfundim të keq, ku jeta e nënës ose fëmijës vihen në rrezik.

Mjekja Mutahar Fauzia në Virxhinia thotë se operacionet e panevojëshme janë të rrezikëshme; ato mund të dëmtojnë mitrën dhe sjellin anomali në placentë, e cila ushqen fetusin gjatë shtatzënisë. Dr Fauzia thotë se vitin e kaluar 86 përqind e pacienteve të saj kanë kryer lindje normale. Ajo thotë se kërkesat më të shumta për lindje me operacion çezarian vijnë nga gratë rreth moshës 20 vjeçare, sepse duan të shmangin dhimbjet.

Organizata Amnesty International e ka cilësuar shtimin e operacioneve çezarian të lindjeve si një krizë maternale të kujdesit shëndetësor, dhe i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të ndërhyjë për të vendosur udhëzime përkatëse në mënyrë që numri i lindjeve me operacion në Shtetet e Bashkuara të mos jetë dy herë më i lartë sesa numri që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edhe një komision i mbledhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, që është një agjenci qeveritare, e pranon se numri i operacioneve çezariane duhet të pakësohet. Por deri tani ky komision nuk ka njoftuar se çfarë udhëzimesh duhen ndjekur për pakësimin e këtyre rasteve.

Shqetësime rreth operacioneve LASIK

Kirurgjia LASIK në sy është përdorur për të korrigjuar shikimin e njerëzve që ata të eleminojnë nevojën për syze ose lente kontakti. Kjo procedurë është miratuar 15 vjet më parë nga Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnave. Por tani, një ish nëpunës i kësaj agjencie qeveritare, shpreh shqetësime mbi sigurinë e operacionit LASIK

Një përmbledhje studimesh në të gjithë botën rreth operacionit LASIK tregon, se 95 përqind e atyre që i janë nënshtruar një operacioni të tillë janë të kënaqur me rezultatet. Gjatë këtij operacioni, mjekët përdorin rreze lazer për të ndryshuar përgjithmonë formën e korneas për të përmirësuar shikimin. Ushtria amerikane e konsideron operacionin Lasik aq të sigurt, sa që kjo procedurë kryhet shpesh tek ushtarët e rinj.

Por tek disa njerëz, shikimi është dëmtuar përgjithmonë si pasojë e këtij operacioni. Ata shohin turbullt, dhe kanë probleme të shohim gjatë natës. Disa njerëz kanë humbur punën dhe nuk janë në gjendje të kryejnë funksionet bazë, siç është ngarja e makinës, për shkak pasojave nga operacioni LASIK.

Tani, Morris Waksler, njeriu i cili kryesonte dikur zyrën qeveritare për shqyrtimin e të dhënave mbi efektshmërinë e operacionit LASIK, thotë se efektet anësore të procedurës Lasik nuk janë marrë mjaft seriozisht. Ai thotë se agjencia ku ai kishte punuar, duhej të kishte siguruar mbikëqyrje më të mirë dhe duhej të kishte vendosur standarte më të rrepta rreth përdorimit të operacionit Lasik. Agjencia e Barnave tani është duke hetuar ankesat e pacientëve të dëmtuar dhe është duke hartuar një raport rreth këtyre problemeve.

Gjithashtu, kjo agjenci po i kërkon krijuesit të aparateve që përdoren për kryerjen e operacionit Lasik që të përmbushin disa standarde të cilat do të ndijkonin në pakësimin e efekteve anësore. Administrata e Ushqimeve dhe Barnave nuk kontrollon kryerjen praktikave të ndjekura në mjekësi në SHBA. Ajo kujdeset që aparatet mjekësorë, si dhe të gjitha barnat që hidhen në treg, të jenë të padëmshëm për pacientët.

XS
SM
MD
LG