Lidhje

Kanceri i gjirit; mastektomia, jo më alternativa e vetme


Kanceri i gjirit; mastektomia, jo më alternativa e vetme
Kanceri i gjirit; mastektomia, jo më alternativa e vetme

Prej shumë kohësh, mastetomia ka qenë e vetmja alternative për trajtimin e kancerit të gjirit

Ekzistojnë shqetësime se trajtimet e kancerit të gjirit me mastektomi, që do të thotë heqje e gjirit me operacion, janë shumë të shpeshta dhe se heqja e plotë e gjirit mund të ishte shmangur, duke u mjaftuar vetëm me një operim të pjesshëm për heqjen e tumorit.

Në muajin shkurt, Denise Moskatiello u diagnostikua me kancer në gji dhe mendja menjëherë i shkoi tek mastektomia. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime se shpesh mastekomitë kryehen pa qenë nevoja, kur gjiri mund të ruhet me ndërhyrje të pjesëshme kirurgjike ose lumpektomi.

Mjekja Monika Morrou pranë qendrës mjekësore Sloan Kettering thotë se nëse do t’u jepej mundësia të zgjidhin, shumica e grave me kancer në gji do të preferonin të ruanin gjoksin e tyre. Por prej shumë kohësh mastetomia ka qenë e vetmja alternative për trajtimin e rasteve të tilla. Kjo ka ngritur shqetësimet nëse kirurgët janë ose jo në gjendje të ofrojnë një alternative tjetër.

Mjekja Morrou kryesoi studimin për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve. Pas shqyrtimit të afro 2 mijë grave me kancer në gji në fazë fillestare ajo vuri re se mbi 75 përqind e tyre kishin zgjedhur mënyrën e trajtimit me operacion të pjesshëm për ruajtjen e gjirit, duke shmangur mastektominë.

Mjekja Morrou thotë se kjo tregon që kirurgët janë në gjendje të përcaktojnë se cilat paciente mund të trajtohen me mastektomi dhe cilat me operim të pjesshëm të gjirit. Në këtë rast pacientet kanë alternative të zgjedhin dhe procedura më pak kirurgjike është ajo që ka më shumë gjasa të jape rezultate të mira. Pasi dy kirurgë ia rekomanduan, Denise iu nënshtrua operimit për ruajtjen e gjirit. Studimi arriti në përfundimin se operimin për ruajtjen e gjirit kirurgët e rekomandojnë për shumë prej grave me kancer në gji në fazë fillestare.


Duhani pa tym dhe fëmijët

Sipas qëndrës për kontrollin e helmimeve, mijëra të rinj nën moshën 18 vjeçare mbllaçisin duhan. Cigaret janë problemi më i madh, por duhani pa tym po bëhet gjithnjë e më shumë shqetësues. Tani disa nga produktet e duhanit janë paketuar që të duken si karamele.

Gëlltitja aksidentale e produkteve të duhanit është një shkak kryesor i helmimeve tek fëmijët e vegjël dhe foshnjet.

Një studim i botuar në revistën e Pediatrisë shqyrton të dhëna rreth helmimeve mes fëmijëve, të raportuara nga më shumë se 60 qendra kontrolli që kishin regjistruar mbi 14-mijë raste të fëmijëve që kish kapërdirë prodhimeve duhani.

Shumica e fëmijëve - 90 për qind e tyre - ishin nën moshën 6 vjeç. Dhe më shumë se 70 për qind ishin më pak se një vjeç.

Produktet e duhanit pa tym po përhapen gjithnjë e më shumë, veçanërisht në mesin e fëmijëve më të rritur. Disa prej këtyre prodhimeve duken si karamele, dhe kanë shije e aroma nga më të ndryshmet. Të paketuara në mënyrë joshëse ato po bëhen një zevendësues i përkohëshëm i cigareve në mjediset ku nuk lejohet pirja e duhanit. Duhani pa tym tërheq kryesisht fëmijë e të rinj nga mosha 13 deri në 19 vjeç.

Studimi arrin në përfundimin se prodhimet e duhanit pa tym mund të paraqesin rrezik, prandaj ndaj tyre duhet vendosur një kontroll i rreptë, për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga helmimet pa dashje.


A mund të stërvitet truri?

Shumë njerëz përpiqen dhe mendojnë se kanë bërë përparim. Por një studim tregon se disa nga këto përparime mund të jetë vetëm në mendjen e tyre.

Pyetja që bëhet ndonjëherë është se a funksionon truri me kapacitet të plotë? dhe a përdoret ai plotësisht?

Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve ekzistojnë një numër programesh e lojrash që premtojnë se ndihmojnë që truri të punojë më me shpejtësi dhe efektivitet, njësoj si ushtrimet fizike ndihmojnë muskujt e trupin.

Por një studim i ri botuar në revistën Nature tregon se shumë nga këto programe janë të paefektshme dhe qëllimi i prodhuesve të tyre është thjesht tërheqja e konsumtarorëve për fitime financiare.

Në studim u përfshinë rreth 11 mijë vetë. Shkencëtarët u dhanë atyre detyra të ndryshme kompjuterike të projektuara për të përmirësuar kujtesën, arsyetimin, planifikimin, dhe aftësitë vizuale. Shkencëtarët vunë re se pjesmarrësit arritën të përmirësonin aftësitë për kryerjen e disa detyrave të veçanta mendore për të cilat ata ishin ushtruar. Por kur atyre iu dhanë detyra për të cilat mendja ishte e papërgatitur, shkencëtarët vunë re se pjesmarrësit nuk ishin në gjendje për t'i transferuar këto aftësi në kryerjen e detyrës së re. Studiuesit argumentojnë se pa një transferimi të tillë, nuk ka trajnim të vërtetë e trurit.

Shumë njerëz vazhdojnë të zgjidhin fjalë kryqe, kriptograme apo lojëra matematike, që janë argëtuese dhe nxitëse, megjithëse nuk ka ende asnjë provë bindëse se këto ushtrime e bëjnë njeriun më të zgjuar.

XS
SM
MD
LG