Lidhje

E ardhmja e lojërave elektronike 3-dimensionale

  • Zëri Amerikës

Për ata që frekuentojnë kinematë, është relativisht e lehtë të shohësh një film 3-dimensional. Mjafton të paguash disa dollarë më shumë për biletën dhe të marrësh një palë syze speciale. Por për ata që pëlqejnë lojërat elektronike, pamjet 3 dimensionale kërkojnë një investim shumë të madh. Por drejtues të industrisë, analistë të tregut elektronik e shpikës të mbledhur kohët e fundit në një takim në Los Anxhelos premtojnë se lojërat 3 dimensionale do të jenë së shpejti pjesë e tregut të gjerë të konsumit.

Nuk ka rëndësi nëse aktualisht një individ ka apo jo në banesën e tij sistemin 3-dimensional për lojëra elektronike. Fakti është që revolucioni 3 dimensional për përdorim personal është tashmë një realitet. Teknologjia premton se përdoruesit së shpejti do të mund të shijojnë në banesat e tyre cilësinë dhe përvojën unike të pamjeve 3 dimensionale, kur luajnë lojëra elektronike.

Revolucioni 3 dimensional ka marrë përmasa reale në sektorin e DVD-ve për përdorim vetjak. Kompanitë Samsung dhe Panasonic tani shesin DVD 3-dimensionale. Studio kinematografike, përfshirë Universal dhe Disney, kanë nxjerrë në treg filma si Coraline dhe Polar Express në variantin 3 dimensional. Këtë qershor stacioni amerikan i sportit ESPN do të transmetojë Kampionatin Botëror të Futbollit në variantin 3-dimensional.

Por në aspektin e lojërave elektronike, konsumatorët ankohen se kostoja dhe përfitimet nuk janë në favor të përdoruesit. Për shembull për të luajtur lojën popullore “World of Warcraft” në variantin 3 dimensional, përdoruesit i duhet të blejë një kompiuter të fuqishëm me një kartë specifike për grafika, një ekran të aftë të shfaqë pamje në 3 dimensione dhe një palë syze për të perceptuar këto pamje, me një kosto totale prej disa qindra dollarësh. Por efekti është tepër impresionues dhe pikërisht aty i kanë varur shpresat drejtuesit e industrisë. Bob Dowlong është organizator i takimit:

“Nuk do të ketë kurrë një numër të mjaftueshëm filmash 3-dimensionalë për të justifikuar blerjen e një televizori të tillë. Në vit hidhen në treg 25-30 filma të tillë. Por kur luan një lojë elektronike në një sistem 3- dimensional, e ke thuajse të pamundur të luash më në sistemin 2 dimensional. Pikërisht ata individë që e kanë provuar teknologjinë e re do ta kërkojnë me ngulm dhe do të jenë katalizatori i përhapjes së industrisë 3 dimensionale për lojëra. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me sportin”.

Për industrinë, kalimi në sistemin 3 dimensional është fare i thjeshtë, pasi shumica e lojërave elektronike janë realizuar që në fillim në variantin 3 dimensional. Pra e njëjta lojë që deri tani konsumatori e ka përdorur në variantin 2 dimensional, mund të përdoret në atë 3 dimensional, mjafton të kesh pajisjet e duhura. Për sa i përket kostos, në përpjekje për të nxitur tregun, kompanitë e prodhimit të lojërave po bashkëpunojnë me prodhuesit e pajisjeve elektronike për ta përhapur në treg këtë teknologji. Neil Shnaider është Drejtor i Aleancës së Lojëra 3-dimensionale

“Kompania Sony i ka inkorporuar disa lojëra të saj në aparatin televiziv. Pra kur blen një Sony Bravia 3-dimensional, ke blerë njëkohësisht disa lojëra elektronike në atë sistem.”

Drejtuesit e këtij sektori besojnë se ky kombinim ul koston dhe sjell një penetrim më të madh në treg të kësaj industrie. Së shpejti, thonë ata, lojërat 3 dimensionale do të jenë pjesë e realitetit të zakonshëm të konsumatorit amerikan.

XS
SM
MD
LG