Lidhje

7 të vrarë në Kabul në një sulm me makinë-bombë


Zyrtarët afganë thonë se një sulm me makinë bombë ka shkaktuar të paktën 7 të vrarë në kryeqytetin Kabul, vetëm disa orë pasi Presidenti Barak Obama u largua nga qyteti, pas një vizite-surprizë.

Policia e Kabulit tha se shpërthimi i sotëm vdekjeprurës ndodhi pranë rrugës Xhalalabad, në lindje të kryeqytetit. Sulmi me sa duket pati si objektiv kompleksin nën masa të rrepta sigurie, “Zona e gjelbër”, ku banojnë qindra punonjës ndërkombëtarë.

Përgjegjësinë për sulmin e morën talebanët. Ata thanë se sulmi ishte si përgjigje ndja vizitës së presidentit Obama dhe u zotuan se do të kryejnë edhe sulme të tjera, me fillimin e ofensivës pranverore në mbarë vendin. Forcat afgane të sigurisë rimorën kontrollin e zonës disa orë pas luftimeve me autorët e sulmit.

Në këtë sulm vdekjeprurës pati edhe 17 të plagosur, shumica e tyre fëmijë. Zëdhënësi i NATO-s tha se sulmi me bombë ishte një tjetër përjekje e dëshpëruar e militantëve, që shkaktuan vdekjen e civilëve të pafajshëm afganë. Ai vlerësoi përgjigjen e shpejtë të forcave të sigurisë.

XS
SM
MD
LG