Lidhje

Gjenerali Skoukroft mbi konfliktin në Afganistan


Gjenerali Skoukroft mbi konfliktin në Afganistan
Gjenerali Skoukroft mbi konfliktin në Afganistan

Lufta në Afganistan vazhdon të mbetet në krye të përparësive të politikës së jashtme të Presidentit Obama. Në vijim, një analizë e ish-Këshilltarit te Sigurisë Kombëtare, Gjeneralit Brent Skoukroft, rreth konfliktit në Afganistan, i cili tashmë ka 10 vjet që vazhdon.

Shtetet e Bashkuara kanë 97 mijë trupa në Afganistan. Sipas strategjisë më të fundit amerikane për Afganistanin, trupat duhet fillojnë tërheqjen nga korriku i ardhshëm - por askush nuk di hollësi të tjera. Qëllimi është që operacionet luftarake t’u dorëzohen forcave afgane të sigurisë deri në fund të vitit 2014, nëse situata do ta lejojë këtë.

Zv/ presidenti Joe Biden e theksoi këtë çështje gjatë një konference shtypi në Kabul kohët e fundit me presidentin afgan Hamid Karzai.

“Shpresojmë që ta dorëzojmë mbrojten e vendit tek forcat afgane. Por ne nuk do t’ju lëmë nëse ju nuk doni që ne të largohemi”.

Ish këshilltari i Sigurisë Kombëtare, gjenerali në pension Brent Skoukroft thotë se strategjia aktuale amerikane është ajo që duhet për vendin.

“Pyetja që shtrohet është nëse e kemi ose jo aftësinë për të zbatuar strategjinë tonë në çdo platformë që duam të përdorim.”

Zoti Skoukroft thotë se problemi është që zonat të spastrohen nga forcat talibane, dhe të vazhdojnë të mbeten të tilla.

“Sapo ne të ikim, njerëzit e këqinj do të kthehen. Dhe që t’i mbash këto zona nën mbikqyrje, nevojiten forca shtesë dhe trupa të përgatitura afgane që janë të afta të vendosen në zonat ku kemi qenë ne. A kemi forca të mjaftueshme, si nga ana jonë edhe ajo afgane për ta vënë në zbatim këtë plan - kjo është pyetja”.

Në fillim të këtij muaji, Departamenti i mbrojtjes njoftoi se do të dërgojë 1,400 marinsa si forcë mbështetëse, kryesisht në rajonin e Kandaharit jugor, një bazë e fortë e talebanëve.

Ndërkohë, mjaft ekspertë ngrenë një tjetër pyetje: a është presidenti afgan Karzai njeriu i duhur për detyrën që ka, a është ai partner i besueshëm për SHBA?

Gjenerali thotë se Uashingtoni ka pak zgjedhje.

“Ne kemi patur probleme me të që në fillim. Është një çështje për të cilën ne nuk mund të bëjmë shumë, pasi ai është presidenti i atij vendi dhe duhet të bashkëpunojmë me të. Interesi ynë i përbashkët është të kemi sukses. Por ai nuk i ka të gjitha interesat tona për zemër, ai ka interesat e tij për zemër. Dhe ne thjesht duhet të jetojmë me këtë situatë të vështirë”.

Qeveria e presidentit Karzai është akuzuar për marrje rryshfetesh dhe për korrupsion të gjerë. Gjenerali Skoukroft thotë se është e vështirë që të çrrënjoset ky korrupsion dhe ndoshta është përtej aftësive të Uashingtonit.

Ish këshilltari për sigurinë kombëtare shton se një mënyrë për të luftuar korrupsionin është përqëndrimi tek lufta kundët kultivimit të opiumit.

“Ka qenë përherë mister për mua se pse ne nuk hetojmë blerësit e opiumit në vend që të shkatërrojmë bimët e opiumit e së bashku me të dhe të korrat e njerëzve që e kultivojnë”.

Specialistë thonë se Afganistani prodhon 85% të opiumit në botë.

Shumë analistë debatojnë rreth mënyrës se si dhe çfarë shteti do të jetë në të ardhmen Afganistani.

Zoti Skoukroft thotë se SHBA nuk duhet të përpiqen të ndërtojnë një shtet modern në Afganistan.

Brent Skoukroft thotë se teksa SHBA fillojnë tërheqjen nga Afganistani, të pasuar nga disa aleatë europianë, publiku amerikan kërkon përgjigje për pyetje të tilla si: pse jemi ende atje dhe se çfarë po bëhet konkretisht në atë vend? Dhe, a ia vlente humbja në njerëz dhe kostoja monetare e shpenzuar në Afganistan?

XS
SM
MD
LG