Lidhje

Imam Vehbi Ismaili, një jetë kleriku në shërbim të harmonisë fetare

  • Ilir Ikonomi
  • Zëri Amerikës

Shtëpia botuese Logos-A në Maqedoni ka shtypur para disa kohësh një përmbledhje shumëvëllimëshe me shkrimet dhe përkthimet e Imam Vehbi Ismailit, i cili ka qenë udhëheqës i njohur i komunitetit mysliman shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Tradita shqiptare e tolerancës fetare është një dukuri tashmë proverbiale. Imam Vehbiu, përveçse njeri i fesë, ishte edhe një patriot, që ndihmoi për ta çuar më tej vëllazërimin mes shqiptarëve të Amerikës, pavarësisht nga besimet e ndryshme të tyre. Kolegu ynë Ilir Ikonomi bisedoi me redaktorin e shtëpisë botuese Logos-A, Afrim Gashi.

Imam Vehbi Ismaili, i cili u nda nga jeta në vitin 2008, ishte një ndër ata klerikë që i mbeti besnikë traditës shqiptare për ta lidhur ngushtë besimin fetar me dashurinë për atdheun. Ashtu si Fan Noli që përktheu liturgjinë greke në shqip edhe Imam Vehbiu e mbajti më këmbë shkrimin e Islamit në gjuhën shqipe.

Vepra e Imam Vehbi Ismailit ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për letrat shqipe në përgjithësi por në islamistikën shqipe në veçanti, sepse koha kur ka botuar ai është shumë karakteristike për shkak të ndalimit të fesë në Shqipëri dhe për shkak të botimeve te shqiptarët në Jugosllavi. Në atë kur ai shkruante dhe vepronte, ishte njeriu i vetëm që shkruante islamin në gjuhën shqipe.

"Ajo që na dallon neve shqiptarëve nga popujt e tjerë, - thotë zoti Gashi - është edhe mënyra si e praktikojmë ne Islamin sepse tek shqiptarët Islami nuk është përplasur me kulturën shqiptare, kështuqë feja dhe kultura shqiptare kanë bashkëjetuar mes tyre. Veprat e Imam Vehbi Ismailit, jeta dhe veprimtaria e tij këtu në Shtetet e Bashkuara është tregues se Islami te shqiptarët dallohet nga ai te kombet e tjerë".

Sipas zotit Gashi, Logos-A zgjodhi të botojë Imam Vehbi Ismailin sepse shkrimet e tij flasin për harmoni, tolerancë dhe respekt mes shqiptarëve, si komb me tre besime të ndryshme.

Në historinë shqiptare, thoshte Imam Vehbiu, do të shohësh që klerikët kanë qenë prijës në përpjekjet për të fituar lirinë; qoftë katolikët, qoftë myslimanët, qoftë orthodoksët. "Një klerik i ndershëm, nuk e tradhton atdhenë kurrë".

Me përkthimet e tij të shumta, Imam Vehbiu ua solli shqiptarëve Islamin në gjuhën shqipe që ata ta kuptonin më mirë thelbin e tij.

"Një element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imam Vehbi Ismailit është pikërisht përkthimi i veprave nga gjuha arabe dhe nga gjuhë të tjera, ... duke u mundësuar shqiptarëve ta mësojnë Islamin më qartë dhe më mirë, nga burime më të pasura, më të sigurta".

Botuesit i kanë sjellë veprat e Imam Vehbi Ismailit pa ndërhyrë në mënyrën e tij të të shkruarit.

"Në konsultime me ekspertë të ndryshëm, ne vendosëm që serinë ta botojmë në gjuhën origjinale me të cilën ai i ka shkruar. Ai ka vepra që i ka botuar para Kongresit të Drejtshkrimit dhe dihet që ai ka ikur mjaft i ri në Egjipt; shumicën e veprave i ka me të folmen shkodrane. Duke dashur të ruajmë origjinalitetin e veprave të tij, ne i kemi lënë ato në gjuhën në të cilën ai i ka shkruar", thotë zoti Gashi.

Vitet e fundit ka patur shqetësime rreth përhapjes së vehabizmit një lloji më radikal të Islamit, sidomos në Maqedoni. Zoti Gashi mendon se kjo prirje tashmë është kapërcyer.

"Tendencat e rrymave të reja janë shumë të vonëshme, në Maqedoni por edhe në të gjithë Ballkanin. Unë mendoj që është përshtypja e tillë, por ne që jemi në Shkup, mund të themi se kjo është një pjesë shumë e shkurtër e asaj historie mund të themi të hidhur që e kemi tejkaluar shumë shpejt dhe besoj që janë vendosur themele mjaft të mira, që rryma të tilla mos të paraqiten dhe mos të zenë vend në kulturën shqiptare dhe këtu, një rëndësi të veçantë ka edhe veprimtaria e Imam Vehbi Ismailit, sepse ajo veprimtari është një udhërrëfyes se cili është islami shqip, si shkruhet islami shqip, cila ka qenë tradita dhe historia e imamëve dhe klerikëve shqiptarë".

Në një intervistë të vitit 2000, Imam Vehbiu u shpreh kështu për tolerancën fetare të shqiptarëve: "Toleranca fetare nuk ka shembull si në Shqipëri. Si ka qenë në Shqipëri përpara luftës... për shembull, vinte dita e flamurit, hoxhallarët, priftërinjtë shkonin në xhami, pastaj në kishë, bëheshin festimet".

Seria e librave të Imam Vehbi Ismailit është një botim luksoz, që i bën nder kësaj figure të shquar atdhetare dhe fetare shqiptare.

XS
SM
MD
LG