Lidhje

Shqipëri: Më shumë se gjysma e energjisë në rrjet shpërdorohet


Në Shqipëri më shumë se gjysma e energjisë që hidhet në rrjet vazhdon të shkojë dëm, një pjesë e mirë për shkak të humbjeve në rrjet dhe një pjesë tjetër pasi nuk paguhet. Kjo situatë pasqyrohet në raportin vjetor të entit rregullator të energjisë i cili shfaq shqetësimin se situata nuk ka pësuar ndryshim, sikundër pritej, as me privatizimin e operatorit të shpërndarjes nga kompania ceke CEZ, përkundrazi ajo është përkeqësuar, nënvizohet në raport. Ende në Shqipëri, mbi 80 mijë abonentë nuk kanë matësa duke bërë që së paku edhe 200 milion kilovat orë të mos paguhen.

Në Shqipëri një sasi e madhe energjie humbet përgjatë linjave të transmetimit dhe atyre të shpërndarjes, një pjesë tjetër vidhet dhe një pjesë tjetër akoma nuk paguhet. E thënë në shifra, vetëm gjysma e vlerës se energjisë që hidhet në rrjet arkëtohet. Kjo situatë shqetësuese pasqyrohet në analizën vjetore për 2009 të Entit Rregullator të Energjisë. Pasojat e saj duket se i vuajnë direkt qytetarët, natyrisht ajo pjesë që e paguan energjinë e që nga 1 janari i këtij viti detyrohet të paguajë akoma më shumë, për shkak të tarifave të reja që kanë hyrë në fuqi: afër 10 përqind rritje për nivelin e konsumit deri në 300 kilovat orë dhe mbi 13 përqind për konsumin mbi këtë nivel. Por në të vërtetë bëhet fjalë për një rritje më të madhe. Duke llogaritur edhe aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, prej 20 përqindësh, për nje konsum për shembull prej 1 mijë kilovatësh, fatura në fund të muajit tregon të paktën 19 përqind më shumë se sa me tarifat e kaluara për të njejtën sasi.

Në Shqipëri 95 përqind e energjisë së prodhuar vjen nga hidrocentralet dhe kjo sasi, nga të dhënat statistikore, ka përfaqësuar, për vitin e kaluar 70 përqind të asaj të konsumuar. Sipas raportit të Entit Rregullator, energjia e prodhuar në vend ka një kosto shumë të ulët, dhe nëse do të reduktoheshin humbjet në rrjet dhe mosarkëtimet, atëherë edhe cmimi që do të aplikohej do të mund të ishte po ashtu më i ulët.

Por problem duket fakti se nuk po jepet asnjë shenjë kthese. Privatizimi vitin e kaluar, i operatorit të Shpërndarjes nga kompania ceke Cez, u shoqërua me shpresën se situata do të ndryshonte. Por në fakt, të dhënat flasin ndryshe. Madje, se ajo është përkeqësuar. Deri tani nuk është parë asnjë përmirësim në administrimn e shoqërisë, përkundrazi, arkëtimet janë përkeqësuar në krahasim me vitin 2008’’, shkruhet në raportin e Entit Rregullator. Aktualisht 24 përqind e energjisë nuk paguhet. Në Kukës për shembull arkëtimet janë në nivelet e 10 përqindëshit, ndërsa në Shkodër diku te 30 përqindëshi. Mbi 80 mijë abonentë e paguajnë energjinë aforfe. Ndonëse ky problem duhej të ishte zgjidhur që në fund të dhjetorit, afati për kompaninë ceke u shty deri në fund të këtij muaji. Sipas kryetarit të Entit Rregullator Bujar Nepravishta të paktën 200 milion kilovat orë shkojnë dëm për shkak të kësaj situate

Por përkeqësim është regjistruar edhe në nivelin e humbjeve. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë 3 muajve të këtij viti, humbjet janë rritur me 9 përqind. Humbjet përfaqësojnë 35 përqnd të energjisë që hidhet në rrjet, ose e thënë në shifra, 2.1 miliard kilovat orë treten përgjatë shpërndarjes, ndërsa 211 milion kilovat orë humbasin në ato të transmetimit.

Sipas kontratës së privatizimit, deri në vitin 2013 kompania ceke duhet të reduktojë me 17 përqind humbjet. Duke ndjekur arsyetimin e Entit rregullator, përmirësimi I situatës do të duhet të reflektohet edhe në një reduktim të mundshëm të tarifave në të ardhmen. Por qeveria shqiptare ka paralajmëruar se Energjia do të vazhdojë të rritet progresivisht cdo vit. Sipas të dhënave, 70 përqind e popullatës konsumon deri në 300 kilovat orë. Praktikisht kjo korrespondon me pjesën që ka dhe të ardhurat më të ulta. Pjesa tjetër, prej 30 përqind, që konsumon më shumë, përdor energjinë edhe për ngrohje edhe për gatim, e detyruar ta bëjë këtë, pasi burimet e tjera energjitike janë thuajse inekzistuese. Në Shqipëri mungon një rrjet I furnizimit më gas. Madje kjo mungesë po rrezikon të cojë dëm edhe investimin prej me shumë se 100 milion euro për ndërtimin e Termocentarlit të Vlorës, I cili ka përfunduar. Vënie e tij në punë është në pikëpyetje për shkak se prodhimi i energjisë nga nafta ka një kosto shumë të lartë, më të lartë edhe se sa importi. Për pasojë autoritetet kanë njoftuar se ai do të mbahet si një burim alternativ, më tepër si një garanci mbështetëse për tu vënë në funksionim në momente emergjence.

XS
SM
MD
LG