Lidhje

Akademikët shqiptarë diskutojnë mbi modelet ekonomike për zhvillim të vendit


Akademikët shqiptarë diskutojnë mbi modelet ekonomike për zhvillim të vendit
Akademikët shqiptarë diskutojnë mbi modelet ekonomike për zhvillim të vendit

Qarqet akademike të Shqipërisë kanë çelur një diskutim për modelet e reja ekonomike që duhet të ndjekë vendi, tani kur ka dalë nga tranzicioni, kur sapo kapërceu një krizë ekonomike botërore dhe kur është në dyert e Bashkimit Europian. Një grup i madh akademikësh, diplomatësh, studiues të ekonomisë, biznesmenësh vendas e të huaj zhvilluan sot një konferencë shkencore për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi këto modele të reja ekonomike që nevojitet të ndjekë vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, thotë se pavarësisht nga ritmet dhe shpejtësi të ndryshme, proceset integruese të Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore janë një histori suksesi me antarësime në NATO dhe afrim përherë e më të madh me Bashkimin Europian. Megjithatë nevojitet që pas tranzicionit, të studiohen dhe të vendosen modele të reja ekonomike.

"Modeli i ri ekonomik duhet të shërbejë për shpejtimin e ritmeve të transformimeve ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë, thellësinë dhe përmbajtjen e reformave, mobilizimin më të frytshëm të burimeve ekzistuese, zbulimin e burimeve të reja, dhe vendosjen e tyre në funksion të prioriteteve të reja të zhvillimit, dhe çka është më e rëndësishmja - përmirësimin e cilësisë së jetës së popullsisë." - tha zoti Beqiraj.

Ndërsa zonja Greta Minxhozi e Bankës Botërore tha se ekonomia e Shqipërisë po përballet me një seri sfidash të reja, sa më shumë rritet. Ajo tha se dekadën e fundit Shqipëria ka ndjekur reforma ambicjoze që sollën një përmirësim të qeverisjes në përgjithësi, reduktim të korrupsionit ndaj dhe u ngrit nga vendi 136, në vendin e 82-të në botë në lehtësinë e të bërit biznes.

"Kalimi në një vend me të ardhura mesatare nënkupton sfida të reja edhe më komplekse, që vijnë si rezultat i rritjes së nivelit të ardhurave, sofistikimit të mallrave dhe të shërbimeve të prodhuara dhe rritjes së kërkesës për to. Megjithë progresin e bërë në reformën arsimore, dhe infrastrukturë, kërkesa për kapitale njerëzore, për aftësi drejtuese dhe infrastrukturë të sofistikuar është rritur më shpejt se oferta".

Këto janë faktorë që, po të mbeten të patrajtuar, ndikojnë në uljen e fitimeve apo në rritjen e kostove të investimeve. Sfida e re lidhet me promovimin e investimeve dhe novacionit në të gjithë ekonominë shqiptare" - tha zonja Minxhozi.

Akademikët theksojnë se tashmë Shqipëria ka modernizuar sistemin financiar dhe rrjeti bankar lehtësoi ndjeshëm goditjet që ekonomia mori nga kriza ekonomike botërore. Tani çështja është që vendi duhet të projektojë modele të reja ekonomike, për t'u përshtatur me struktura të mëdha ekonomike të Europës së Bashkuar, ku janë përfshirë shtete me ekonomi të fuqishme. Një seri pyetjesh dhe sfidash kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj kredive dhe deficiteve, ndaj arsimit dhe pronësisë intelektuale ndaj shkëmbimeve ekonomike rajonale dhe rritjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG