Lidhje

Shqipëri: Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin e ardhshëm


Shqipëri: Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin e ardhshëm
Shqipëri: Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin e ardhshëm

Në Shqipëri qeveria miratoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai do të jetë buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë duke shpjeguar se infrastruktura rrugore do të mbetet përparësia kryesore dhe do të zërë pjesën më të madhe të zërit të investimeve. Kryeministri premtoi sërish një rritje ta pagave e pensioneve gjatë vitit të ardhshëm:

"Ne miratojmë buxhetin e ri, që në terma financiarë është buxheti më i madh në historinë e vendit, me një rritje të ndjeshme, krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, me një riorganizim tërësor në përparësitë e kësaj qeverie”, tha sot kryemnstri Sali Berisha në hapje të mbledhjes së qeverisë. Sipas tij, një gjë e tillë është bërë e mundur falë ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë këtij viti. Ai deklaroi se projekti i buxhetit është realist dhe do të ruajë stabilitetin makroekonomik të vendit si dhe do të mbështesë rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm.

Ashtu siç kish dhe paralajmëruar, kryeministri rikonfirmoi sot se përparësi mbeten investimet në infrastrukturë, vecanërisht atë rrugore. “Rreth 1 miliard dollarë që do të jenë investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, sisteme kullimi, shkolla, qendra shëndetësore, në bujqësi në formë subvencionesh. Nga këto, 50 miliardë lekë janë të përcaktuara për sistemin rrugor të vendit. Rrugët kanë qenë e mbeten përparësi madhore të kësaj qeverie. Pra, 500 milion dollarë do të investohen në rrugë dhe janë të shpërndara në akset kombëtare dhe ato rurale”, shpjegoi kryeministri.

Këto investime do të shtrihen edhe për akset rurale ndërsa projekti kryesor mbetet ai i rrugës Tiranë Elbansan, e cila do të lidhet përmes një tuneli. Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi edhe një tjetër rritje pagash dhe pensionesh edhe gjatë vitit të ardhshëm e cila sipas tij në vlerë reale është më e madhja e realizuar deri më tani. “Kjo rritje do të jetë në vlerë reale më e madhja në tërë historinë. Do të rriten pensionet në fshat me 10 përqind, në qytet me 5-7 përqind, do të rriten pagat e administratës, sipas kategorive, nga 5 deri në 10 përqind”.

Kryeministri shpjegoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të mbështesë reformat në shëndetësi dhe arsim si dhe do të shërbejë për t’i dhënë mbështetje zhvillimit të sektorit të bujqësisë. Kryeministri premtoi gjithashtu se fondet për institucionet e Drejtësisë nuk janë pakësuar sikundër edhe buxheti për pushtetin vendor. Projektbuxheti pritet t’i kalojë tani parlamentit për t’iu nënshtruar debateve të shumta në komisionet e ndryshme përpara se të kalojë për votim në sallë.

XS
SM
MD
LG