Lidhje

OBSH: Vdekshmëria e nënave ende e lartë në Shqipëri


OBSH: Vdekshmëria e nënave ende e lartë në Shqipëri
OBSH: Vdekshmëria e nënave ende e lartë në Shqipëri

Përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë deklarojnë se vdekshmëria e nënave në Shqipëri mbetet ende disa herë më e lartë nga vendet evropiane. Ata pohojnë se gruaja shqiptare duhet të ngrejë më lart statusin e saj në shoqëri. OBSH mblodhi në Shqipëri specialistë nga 25 vende të Evropës Juglindore për të hartuar strategjinë e re në mbrojtje të shëndetit të nënave dhe fëmijëve:

Organizata Botërore e Shëndetësisë mblodhi në Shqipëri përfaqësues të 25 vendeve të Europës juglindore për të përgatitur strategjinë e ardhshme 5-vjeçare për shëndetin e nënës dhe fëmijës si dhe për barazinë gjinore. Zyra rajonale e O.B.Sh.-së e organizoi këtë takim për Objektivat e Mijëvjeçarit në Durrës së bashku me ministrinë shqiptare të shëndetsisë. Përfaqësuesit e 25 vendeve diskutuan për të ulur vdekshmërisë foshnjore dhe mëmësore, si dhe për të kërkuar qeverive më shumë përgjegjësi sa i takon barazisë gjinore dhe shërbimeve shëndetësore. Sipas organizatorëve, përfundimet e këtij takimi janë në vetvete strategjia e re e vendeve pjesëmarrëse.

Po situata e Shqipërisë në këtë fushë, cila është? Shefja e këtij projekti në zyrën rajonale europiane të OBSh-së, Gunta Lazdejn, thotë se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga përvojat e Evropës në mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve. "Shqipëria është duke punuar mirë në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe uljen e vdekshmërisë foshnjore nën moshën 5 vjeç, por për shëndetin e nënës dhe çështje të barazisë gjinore ende bëhet pak" - thotë zonja Lazdane. Sipas saj, në pikën 5 të Objektivave të Mijëvjeçarit, kërkohet që çdo vit të ulet vdekshmëria mëmësore me 5,5 për qind.

"Shqipëria e ka ulur këtë vetëm me 1,5 për qind çdo vit". - thotë zonja Lazdejn. - "Nga 5,5 në 1,5 është diferencë e madhe. Vdekshmëria mëmsore në Evropë është 5-7 nëna për 100 mijë lindje, ndërsa në Shqipëri është ende 31 nëna për 100 mijë lindje, pra afro 5 herë më e lartë. Pra, për shëndetin e fëmijëve në Shqipëri, - thotë zonja Lazdejn, - përparimi është shumë i mirë, por për nënat ka shumë rrugë për të punuar".

Sipas saj, Shqipëria duhet të studiojë me kujdes dhe të zhdukë shkaqet e kësaj gjendjeje, si edhe të ngrejë më lart statusin e nënës në shoqëri.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 98 për qind e popullatës mbulohen me vaksinime të rregullta, duke përfshirë edhe vaksinat e reja të fruthit, rubeolës dhe gripit, ndaj edhe vdekshmëra foshnjore është ulur deri 10.5 për 100 mijë. Po ashtu mbi 98 për qind e lindjeve kryhen në spitalet gjinekologjikë me ndihmë të posaçme mjekësore.

Shqipëria nënshkroi në vitin 1994 Deklaratën e Kajros dhe ka miratuar një sërë ligjesh për shëndetin riprodhues, ndërprerjen e shtatzanisë, të cilat sollën një mentalitet të ri tek mjekët dhe sistemi shëndetsor në Shqipëri, por ekspertët europianë pohojnë se tashmë duhet të ndryshojë mentaliteti i gjithë popullatës shoqërisë shqiptare për rëndësinë dhe statusin e gruas në familje dhe në shoqërinë shqiptare.

XS
SM
MD
LG