Lidhje

Universiteti i Durrësit kërkon më shumë autonomi nga Ministria e Arsimit


Universiteti i Durrësit kërkon më shumë autonomi nga Ministria e Arsimit
Universiteti i Durrësit kërkon më shumë autonomi nga Ministria e Arsimit

Universiteti i Durrësit nisi vitin e ri akademik me një seri ndryshimesh programore dhe infrastrukturore. Këtë vit të ri akademik vijnë për të parë 6 mijë e 600 studentë në ciklin e parë me provime dhe regjistrime, sipas sistemit meritë - preferencë, dhe 530 studentë në ciklin master. Zëvendës-rektori i Universitetit të Durrësit, Mitat Mema, thotë se Universiteti ka hapur këtë vit dy fakultete të reja.

“Ne si universitet tashmë numërojmë 7 fakultete, kemi hapur dy fakultete të reja; fakulteti i teknologjisë dhe informacionit si dhe fakulteti i shkencave politiko-juridike. Aktualisht në këtë universitet ofrohen 44 programe studimi dhe shpresojmë që t’u përgjigjemi kërkesave të studentëve në mënyrën më të mirë të mundshme” - thotë zoti Mema.

Grupe të mëdha studentësh ende përgatisin dokumentet dhe zgjedhin lëndët dhe oraret në mjediset e universitetit. Zoti Mema thotë se një sfidë e madhe për t’u përballur nga ministria e arsimit dhe gjithë grupet e interesit është rritja e autonomisë financiare të universiteteve publike. Sipas tij, tani që u rrit numri i studentëve në sasi, mbetet të rregullohet cilësia e studimit, dhe cilësia e studimit rritet bashkë me autonominë universitare.

“Në kushtet e masivizimit të numrit të studentëve, ajo sfidë që ne jemi përballur është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe cilësisë së diplomave që japim. Autonomia në vendim-marrje për problemet akademike është një element shumë i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e diplomave që ne lëshojmë dhe do të lëshojmë në të ardhmen” - tha zoti Mema.

Universitetet publike shqiptare po shtojnë ndjeshëm këto vite numrin e studentëve. Kjo e ka vendosur administratën përballë sfidash të reja në shtimin e numrit të pedagogëve dhe në zgjerimin e mjediseve të studimit.

XS
SM
MD
LG