Lidhje

Shqipëri: Veprimtarët, kritikë dhe skeptikë për të ardhmen e mjedisit shqiptar


Shqipëri: Veprimtarët, kritikë dhe skeptikë për të ardhmen e mjedisit shqiptar

Shqipëri: Veprimtarët, kritikë dhe skeptikë për të ardhmen e mjedisit shqiptar

Një ditë pa makina në kryeqytetin shqiptar është një rast për shëtitur me biçikletë për nja dy orë dhe për të folur me qytetarët për mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu organizime të tilla i nxitin veprimtarët e mjedisit që të studiojnë pasojat e ndotjeve në jetën e vendit dhe të kërkojnë forcimin e masave mbrojtëse. Lavdosh Feruni është njëri nga veprimtarët e njohur të mjedisit në Shqipëri. Ai thotë se ndotja vazhdon të jetë e lartë dhe nuk ka përmirësime. Zoti Feruni është përfaqësues nga Shqipëria i Forumit Mjedisor Rajonal. Ai thotë se ndërkohë që janë të vonuara ligjet për ndotjen gjenetike, Shqipëria po vonohet edhe për ndotjet industriale, ndërsa e ardhmja në këtë fushë, sipas tij, është pesimiste.

“Për mendimin tim, shqetësim shumë i madh është ndotja në perspektivë; pra ndotja që llogaritet se do të vijë nga industritë që po instalohen aktualisht. Në Shëngjin po projektohen terminale për transportin e çimentos, në Seman një terminal për gazin, që janë në përmasa shumë të mëdha. Ndërsa në gjirin e Vlorës ka vendime shumë të avancuara për ndërtimin e një super-porti dhe zonës së lirë. Të shoqëruara këto edhe me industrinë e rëndë, ato do të jenë katastrofike për këtë gji. Këto janë ndotje që nuk mund të rikuperohen më” - tha ai.

Ndotjet mjedisore që diskutohen nga këto industri të reja janë të vazhdueshme dhe të lejueshme brenda disa parametrave, ndërkohë që pakkush shqetësohet dhe as planifikon masa mbrojtëse se si mund të shmangen ndotjet aksidentale nga difektet teknologjike si p.sh. nafta në Gjirin e Meksikës. Për një vend të vogël si Shqipëria aksidente të tilla do të ishin një godtje shumë e rëndë mjedisore. Zoti Feruni përcjell mendimin e shumë specialistëve të tjerë të mjedisit kur thekson se me standartet e Bashkimit Europian në këtë fushë po abuzohet shumë, ndërkohë që ligjet dhe strategjitë kombëtare po vonohen, duke i bërë investimet e reja industriale një fakt të kryer.

Ne normalisht do të lëvizim drejt standarteve dhe ka filluar ky proces me standarte. Por unë mendoj se me standartet po abuzohet shumë. Edhe industritë me standarte shkaktojnë ndotje, por ndotja është më e vogël. Nëse në vend të një fabrike çimentoje ne bëjmë dhjetë, atëherë ndotja e lejuar dhjetëfishohet, dhe një ndotje e tillë është shumë e madhe për një vend të vogël si Shqipëria. Ky vend i vogël nuk mund të përballojë investime të tilla me super-tece, me super-porte, me super-fabrika çimentoje. Pra, standartet janë, por këto standarte të shumëfishuara shkaktojnë ndotje të pakthyeshme për Shqipërinë” - tha ai.

Mjedisi në Shqipëri ka marrë goditje të rënda gjatë këtyre viteve të tranzicionit në të gjithë sektorët. Prerjet masive të pyjeve, dhe gërmimet në shtretërit e lumenjve kanë shkaktuar gërryerje dhe përbytje të përmasave të mëdha. Ndërkohë impiantet industriale të naftës, gazit, energjisë, që po instalohen në zona bregdetare, po shihen me dyshim dhe kundërshtime nga shoqatat e mjedisit. Ndërsa jeta në qytetet e mëdha po vështirësohet mjaft nga ndërtimet pa rregull dhe numri i madh i makinave të vjetra që shkarkojnë tonelata të tëra karboni.

XS
SM
MD
LG