Lidhje

Shqipëri: Autoritetet kërkojnë ndihmë nga vendet e NATO dhe BE


Shqipëri: Autoritetet kërkojnë ndihmë nga vendet e NATO dhe BE
Shqipëri: Autoritetet kërkojnë ndihmë nga vendet e NATO dhe BE

Situata e rënduar në verilindje të vendit në zonën e Shkodrës ka detyruar atutoritet shqiptare t’i drejtohen për ndihmë vendeve të Natos dhe Bashkimit europian. Ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto thirri në një takim përfaqësuesit diplomatik të këtyre vendeve, të cilëve ai u kërkoi mbështetje kryesisht me varka të vogla që të bëjnë të mundur shprëndarjen e ushqimeve dhe ilaceve në zonat e prekura. Ndërkohë probleme vazhdojnë të shfaqen edhe në zona të tjera të vendit:

Të dielën paradite në Tiranë ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto mblodhi ambasadorët e vendve të Natos dhe BE për të kërkuar mbështetjen e tyre për gjendjen e krijuar në zonën e Shkodrës. Gjatë takimit ministri shqiptar ka theksuar se ndihmat në këto momente janë jetike dhe emergjente, ndërsa ka bërë një pasqyrë të situatës.

Në përfundim të takimit ministri u shpreh optimist se shumë shpejt secili vend do të japë kontributin e tij. “Kërkesat më emergjente për momentin janë varkat e vogla për shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve mjekësore, por gjithashtu dhe gjithçka tjetër që bën të mundur strehimin dhe kalimin normal të kësaj situate të vështirë që mund të jenë çadrat apo pajisjet e tjera”, shpjegoi ministri.

Autoritetet shqiptare u vunë që dje në lëvizje për të kërkuar mbështetje nga jashtë. Presidenti Bamir Topi pati një komunikim telefonik me presidentin turk, ndërsa ministri Haxhinasto kontaktoi homologët e tij italian grek dhe turk. Nga Turqia që në orët e para të mëngjesit mbërritën dy helikopterë me personale ushtarak dhe mjekësor. Po ashtu dhe Greqia dërgoi helikopterë ndërsa nga Italia ka nisur ardhja e ndihmave.

Ndërkaq vështirësi vazhdojnë të shfaqen edhe në zona të tjera, ku dalja nga shtrati mbrëmë i Vjosës është shoqëruar me përmbytje dhe pasoja në disa fshatra të Fierit ashtu dhe në Vlorë. Në Durrës për shkak të përmirësimit të motit gjendja duket se po stabilizohet, ndërsa shkarjet e dherave dhe terrenit kanë sjellë probleme në disa akse rrugore.

XS
SM
MD
LG