Lidhje

Shqipëri: Negociatat e fundjavës pa marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve


Shqipëri: Negociatat e fundjavës pa marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve

Shqipëri: Negociatat e fundjavës pa marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve

Koalicioni qeveritar dhe opozita nuk arritën këtë fundjavë asnjë marrëveshje në negociatat e shkurtra, ndonëse seanca e fundit 24 orëshe e parlamentit, kërkoi që zgjidhja të sillej mbledhjen e ditës së hënë. Përfaqësues të forcave kryesore politike bënë të ditur se qysh nga mëngjesi i ditës së premte kur u mbyll parlamenti, nuk është arritur ndonjë mirëkuptim dhe aq më pak ndonjë kompromis për detajet e fundit mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e vitit 2009.

Negociatat e kësaj fundjave përshkruhen më tepër si kontakte të shkurtra ku palët konfirmuan mosndryshimin e qëndrimeve të tyre. Seanca e radhës e parlamentit varet tërësisht nga këto negociata, dhe shpresa e fundit për seancën e fundit të këtij viti mbetet ndonjë takim mëngjesin e të hënës midis ekpertëve deputetë të PD dhe PS-së.

Palët ranë dakord seancën e fundit mbi 3 pika dhe ngecën tek e 4. Pika 1 kishte bënte me objektin e hetimit të komisionit; Pika 2 që kryetari t’i përkasë opozitës; Pika 3 që vota e kryetarit të jetë e barabartë me 3 vota. Ndërsa pika 4 u debatua me dy variante; Opozita tha që KQZ të vërë në dispozicion materialet zgjedhore, por shumica tha që hetimet të bëhen në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Seanca rifilloi dhe u ndërpre disa herë gjatë natës midis të enjtes dhe të premtes, ndërsa ekspertë të dy palëve riformulonin pikat e dokumentit që do të mundësojë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 2009. Parlamenti rifilloi seancën e pandërprerë në 5 e gjysëm të mëngjesit pas shumë orë diskutimesh të zvarritura vetëm për një shprehje, “nëse KQZ duhet të dorëzojë materialet”, apo nëse “hetimi duhet bërë sipas Kodit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese”.

Në fund deputetët e opozitës propozuan që seanca të shtyhet ditën e hënë dhe negociatat të vazhdojnë gjatë fundjavës. Shumica dhe opozita fajësuan si zakonisht njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit politik mbi këto hetime. Opozita theksoi se nuk po kërkon asgjë më tepër nga ato që ka kërkuar edhe Parlamenti Europian në rezolutën e fundit për Shqipërinë. Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se ishte i gatshëm të jepte opozitës edhe shumicën e edhe kryetarin e këtij komisioni hetimor, me kusht që këto hetime të bëheshin mbi fakte dhe prova konkrete. Madje sipas tij, ishte opozita ajo që e ka vonuar dhe zvarritur ngritjen e këtij komisioni hetimor, me kërkesa që dalin jashtë kornizave kushtetuese dhe ligjore.

Seanca ende e papërcakuar e të hënës 27 dhjetor pritet të mbahet vetëm dy ditë para një tjetër mbledhje të rëndësishme; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë të mërkurën në datë 29 dhjetor për fatin e fletëve të votimit. KQZ ka thënë se për shkak të negociatave partiake dhe ngërçit politik është tepër e shqetësuar për shkeljen e të gjitha afateve ligjore që e detyrojnë atë të nisë përgatitjet e zgjedhjeve vendore të muajit maj.

Presidenti Bamir Topi dekretoi 8 majin si datën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, duke i lënë një kohë mëse të majftueshme partive politike për të përgatitur zgjedhjet, si edhe për të kryer reformën zgjedhore. Por disa nga këto pika kanë hyrë si zakonisht në një rreth vicioz; pa hetime nuk ka reformë zgjedhore - sipas opozitës, dhe pa këto të dyja vihet në pikëpyetje pjesëmarrja në zgjedhjet vendore - sipas disa aleatëve të vegjël të saj.

XS
SM
MD
LG