Lidhje

Pano: Kam besim se vështirësitë politike në Shqipëri po zgjidhen


Pano: Kam besim se vështirësitë politike në Shqipëri po zgjidhen

Pano: Kam besim se vështirësitë politike në Shqipëri po zgjidhen

Studiuesi i njohur i cështjeve shqiptare, Nikolla Pano, thotë se ngjarjet e fundit politike në Tiranë kanë ngjallur shpresat për bashkëpunim mes palëve për reformat. Zoti Pano tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se takimi i fundit midis kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mund të jetë nisja e zgjidhes së vështirësive politike. Studiuesi Pano thotë se politikanët duhet të kuptojnë kostot që krijojnë për vendin konfliktet e tyre politike.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano! Cili është vlerësimi juaj për zhvillimet sociale dhe politike aktualisht në Shqipëri?

Nikolla Pano: Shqipëria, gjithëherë që vijmë këtu shikojmë përparimet në disa fusha. Kryeqyteti, Tirana po ndryshon në qendër dhe në perfieri. Po shikojmë ndërtime të reja, rrugë të reja, dyqane, dhe na gëzon fakti që Shqipëria po përparon në fushën materiale. Në fushën politike janë këto konfliktet që i kemi parë në periudhën e demokracisë. Kam një shpresë që pak nga pak, ky takimi i fundit Berisha - Rama, këto zhvillimet e fundit mund të hapin rrugën për zgjidhjen e kësaj situate që ka krijuar problem për Shqipërinë, qysh nga zgjedhjet e vitit të fundit.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano! Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Sali Berisha u takuan së fundi në një tryezë shumëpartiake për reformën zgjedhore. Megjithatë, këto takime janë shumë të rralla. Ku e mbështetni ju shpresën se bashkëpunimi midis tyre do të vazhdojë me sukses?

Nikolla Pano: Kjo krizë ka vazhduar për një kohë të gjatë edhe unë pashë takimin e fundit midis tyre në televizion. Jam i inkurajuar për këtë hap që është marrë dhe shpresoj që kjo do të jetë zgjidhja e këtij problemi në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano! Sipas disa analistëve, kërkesa e zotit Rama të opozitës për të hetuar zgjedhjet e kaluara është një mbajtje e shikimit pas, ndërkohë që po afrohen zgjedhjet e tjera për pushtetin vendor në 8 maj të vitit tjetër. Si e vlerësoni ju këtë atmosferë parazgjedhore politike në Shqipëri?

Nikolla Pano: Sipas zotit Rama, problemi nuk është që Shqipëria nuk ka ligje për zgjedhjet, por problemi është zbatimi i ligjeve. Me hetimin tani mund të zgjidhen disa nga këto andrralla që kanë krijuar probleme për Shqipërinë. Kam shpresë të madhe që do të shikojmë tani fundin e kësaj rruge.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano! Ka më shumë se një vit që Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në NATO, ndërkohë që po përpiqet shumë që të integrohet në Bashkimin Evropian. Si e vlerësoni të ardhmen e afërt të Shqipërisë në 2011, në raport me integrimet euro-atlantike?

Nikolla Pano: Do të ketë disa vështirësi, por siç duket Shqipëria ka marrë këtë rrugë drejt Evropës së Bashkuar. Udhëheqësit e Shqipërisë i kuptojnë çmimet që paguajnë kur dalin këto probleme politike. Kam një shpresë të madhe që Shqipëria tani e ka gjetur dritën, dhe drita është drejt Evropës.

XS
SM
MD
LG