Lidhje

Pozita dhe opozita ende pa kompromis

  • Zëri Amerikës
  • Tiranë

Pozita dhe opozita ende pa kompromis

Pozita dhe opozita ende pa kompromis

Në Shqipëri parlamenti i mbledhur mbrëmë për të diskutuar rreth nismave ligjore të opozitës, të cilat lidhen, me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e qershorit të kaluar dhe me disa ndryshime që garantojnë ligjërisht të drejtën e hapjes së kutive për efekt hetimi parlamentar, i ndërpreu punimet e tij pas mesnatës për të rinisur sot paradite.

Mbi 7 orë diskutime nuk sollën asgjë të re në sfondin e një krize që mund të ringjallet më me forcë mes shumicës dhe opozitës. Në Sallën e parlamentit palët vetëm sa konfirmuan qëndrimet e tyre të cilat dallojnë thellësisht nga njëra tjetra. Kërkesat e socialistëve konsiderohen si në kundërshtim me kushtetutën dhe parimin e ndarjes së pushtetit, e për këtë arsye të djathtët në pushtet nuk kanë lëshuar pe’ as mbrëmë ku beteja e tyre në sallë është udhëhequr nga kryeministri i cili ndërhyri së paku mbi 7 herë për t’ju përgjigjur akuzave dhe pretendimeve të ngritura nga deputetët e opozitës.

Në një situatë të tillë debatet që do të rinisin sot e që pritet të vazhdojnë deri në mbrëmje, për shkak të numrit të lartë të deputetve që kanë kërkuar të flasin, pritet të jetë vetëm një fotokopje e seancës së mbrëmshe ku palët rrotulloheshin secila rreth argumentave të tyre pa asnjë pikë të përbashkët takimi.

Përfaqësues të Bashkimit Europian kanë përsëritur disa herë nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë në parlament. Sot pasdite në Tiranë pritet të jetë për një vizitë komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle i cili kishte kërkuar arritjen e një marrëveshje përpara mbërritjes së tij në kryeqytetin shqiptar. Ka shumë mundësi që debatet në parlament të mos kenë përfunduar përpara se Komisioneri të largohet. Megjithatë prania e tij nuk parashikohet të jetë një shtysë më shumë, edhe sepse përvec thirrjeve për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje dhe paralajmërimeve, për pasojat e një dështimi në proceset integruese të Shqipërisë, Brukseli ka evituar të luajë rolin e ndërmjetësit.

XS
SM
MD
LG