Lidhje

Shqipëri: Presidenti Topi kërkon pastrimin e gjykatave nga të korruptuarit


Shqipëri: Presidenti Topi kërkon pastrimin e gjykatave nga të korruptuarit
Shqipëri: Presidenti Topi kërkon pastrimin e gjykatave nga të korruptuarit

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të shtojë punën për pastrimin e sistemit gjyqësor nga të paaftët dhe të korruptuarit. Presidenti Topi deklaroi se sistemi i drejtësisë po akuzohet shpesh për korrupsion dhe mungesë transparence. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e K.L.D.-së, ku u përdor për herë të parë një sistem i ri vlerësimi për punën e gjyqtarëve të Elbasanit dhe me radhë gjykatat e tjera të vendit. “Duhet ndarë i afti nga i paafti në sistemin e drejtësisë; duhet ndarë qartë i korruptuari nga i pakorruptuari. Në këtë mënyrë sistemi i drejtësisë të marrë notën që meriton dhe jo gjyqtarët të vlerësohen në bllok” - tha ai.

Presidenti Topi tha se merr çdo ditë qindra letra nga qytetarët që ankohen për sistemin e drejtësisë, ndërkohë edhe mediat publikojnë dhjetëra raste procesesh gjyqësore me probleme vonese, transparence, shkeljesh të ndryshme. Sipas tij, sistemi gjyqësor nuk mund të rrijë spektator kur akuzohet për korrupsion, por duhet të bëjë drejtësi në nivele të larta profesionale. “Janë të panumërta ankesat e qytetarëve për çështjet e pronave. Të panumërta. Nuk vijnë me letra anonime. Janë me zë dhe me emra të drejtëpërdrejtë. Ankohen për abuzime që ndodhin gjatë proceseve gjyqësore, për mungesën e transparencës” - thai ai.

Zoti Topi tha se cilësia e punës dhe profesionalizmi në sistemin e drejtësisë është një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Europian, si edhe e qytetarëve shqiptarë. “Ne po shkojmë në Europë, dhe po bashkëpunojmë me misionet europiane të drejtësisë që monitorojnë dhe orientojnë sistemin e drejtësisë. Shumë gjëra i kemi bërë bashkë, dhe BE-në do ta dëgjojmë me vëmendje, sepse nuk ka shans të futemi në Europë pa plotësuar ato piketa e kritere që tashmë janë konsoliduar prej dekadash në familjen europiane”.

Reformimi i sistemit gjyqësor është një nga kriteret e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Megjithatë, sistemi shqiptar i drejtësisë, sipas anketave të opinionit publik, vlerësohet nga qytetarët si një nga sektorët më shumë të korruptuar, krahas mjekëve dhe doganierëve.

XS
SM
MD
LG