Lidhje

5 korrik: Presidenti nënshkruan Ligjin e Punës; Laboratori Bell merr patentën e tranzistorit

  • Zëri Amerikës

Presidenti nënshkruan Ligjin e Punës

Më 5 korrik, 1935 presidenti Franklin Roosevelt nënshkroi në ligj Aktin Kombëtar të Marrëdhënieve me Fuqinë Punëtore. Ky ligj është konsideruar si një arritje e rëndësishme për të drejtat e punëtorëve. Ai garantonte të drejtën e punëtorëve për t’u bashkuar në sindikata.

Në bazë të ligjit krijohej Bordi Kombëtar i Marrëdhënieve të Punës, që do të hetonte akuzat për praktika punësimi të padrejta. Pas miratimit të ligjit, sindikatat mbështetën kandidaturën e presidentit Roosevelt për t’u rizgjedhur në zgjedhjet presidenciale të vitit 1936.

Sindikatat ndihmuan gjithashtu Partinë Demokrate të kishte një shumicë dërrmuese në çdo nivel qeverie. Ligji u kritikua nga shumë punëdhënës, sipas të cilëve qeveria kishte ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në të drejtat e tyre.

Laboratori Bell merr patentën e tranzistorit

Më 5 korrik 1948 kompania Bell Telephone Laboratories mori patentën për shpikjen e tranzistorit, një pajisje që ndryshoi rrënjësisht elektronikën. Tranzistori i parë ishte më i vogël sesa thoi i gishtit të dorës, i fortë dhe i efektshëm. Ai ishte projektuar si një zëvendësues i lirë i llampave të mëdha të sistemit të centraleve telefonike të kompanisë Bell.

Historiani i shkencës dhe fituesi i Çmimit Pulitzer, Robert Bruce, thotë se tranzistori ushtroi në shoqëri po atë ndikim që kishte ushtruar edhe Revolucioni Industrial.

“Me fjalë të tjera, tranzistori është një ndër elementët kryesorë në revolucionin kompjuterik, i cili nga ana e vet, është një nga forcat madhore që lëvizin botën e sotme dhe të së ardhmes”.

Zhvillimet e mëtejshme në fushën e elektronikës, si mikroprocesori, kanë avancuar edhe më shumë zvogëlimin e përmasave dhe kompleksitetin e kompjuterëve, telefonave, radiove, televizorëve dhe shumë pajisjeve të tjera.

XS
SM
MD
LG