Lidhje

8 korrik: Vendosen hebrejtë e parë në Amerikë; Zbulohet ajri i kondicionuar

  • Zëri Amerikës

Vendosen hebrejtë e parë në Amerikë

Më 8 korrik të vitit 1654, Jakob Barsimon, një hebre nga Portugalia arriti në koloninë holandeze të Nju Amsterdamit në Amerikë. Ky njeri që kishte emigruar në Hollandë gjatë Inkuizicionit në Portugali, ishte i pari emigrant hebre që vinte në Amerikë.

Dokumentet tegojnë se ai ishte marrë në punë nga kompania holandeze India Lindore. Një vit më vonë, anija me emrin Shën Katerinë arriti në Amerikë nga Brazili me 40 hebrej në bord.

Këtyre hebrejve me prejardhje portugeze, u ishe kërkuar të ndërronin fenë dhe të ktheheshin në katolikë gjatë periudhës së Inkuizicionit. Por në vend që të hiqnin dorë nga besimi i tyre hebraik, ata u larguan për në Brazil, ku mund të praktikonin lirisht fenë e tyre. Mirëpo atyre iu desh të largoheshin nga Brazili, kur portugezët vendosën atje kontrollin e tyre të plotë.

Zbulohet ajri i kondicionuar

Më 8 korrik 1842, mjeku John Gorrie, zbuloi sistemin e parë të ftohjes së ajrit. Mjeku dëshironte që të sëmurët nga ethet ta ndjenin veten më mirë në klimën subtropikale të Floridës, prandaj u kërkonte infermierëve që të sillnin kova me akull dhe të frynin ajrin përmes akullit. Lëvizja e ajrit nëpër akull krijonte një efekt ftohës.

Nuk kaloi shumë dhe John Gorrie e la mjeksinë për t’u marrë me eksperimente. Ai u përpoq të ndërtonte një makinë me amoniak që të ftohte ajrin dhe kështu lindi makina e parë mekanike e akullit e më pas frigoriferi.

Sot, në Shtetet e Bashkuara ftohja qendrore dhe në përgjithësi ajri i kondicionuar është kthyer në diçka të zakonshme në shumicën e shtëpive, zyrave dhe makinave.

XS
SM
MD
LG