Lidhje

16 korrik: Xhon Kenedi, i Riu vdes në një aksident ajror; Beri Golduoter pranoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president


Xhon Kenedi, i Riu vdes në një aksident ajror

Më 16 korrik 1999, Xhon Kenedi i Riu, bashkëshortja e tij, Karolin Besete, dhe motra e saj, gjetën vdekjen kur aeroplani që ai drejtonte u rrëzua në det. Ata po shkonin nga Nju Xhersi për në një vend pushimi në shtetin Masaçusets.

Kennedy, i cili ishte 38 vjeç, u bë i famshëm që në fëmijëri, kur i ati ishte president. Amerikanët e kishin ndjekur atë gjatë gjithë jetës, që kur ishte fëmijë dhe vraponte e luante në Shtëpinë e Bardhë, në shkollë, në punë dhe bile edhe në jetën e tij private.

Para se të vdiste ai ishte publicist i revistës politike “George”, që e kishte themeluar vetë. Hetuesit federalë arritën në përfundimin se Xhon Kenedi me sa duket humbi orientimin ndërsa po fluturonte mbi det në natën me mjegull. Trupat e viktimave u gjetën më 21 korrik, pesë ditë pas rrëzimit. Një ditë më pas, hiri i tyre u shpërnda në det me një ceremoni private të familjes në bordin e një destrojeri të marinës amerikane.

Beri Golduoter pranoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president

Më 16 korrik 1964, senatori i Arizonës Beri Golduoter pranoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president. Senatori ishte emëruar një ditë më parë në kuvendin e partisë që ishte mbajtur në Kaliforni. Emërimi i tij shënoi rritjen e prirjeve konservatore brenda republikanëve, të cilët flisnin me përbuzje ndaj kandidatit të moderuar, guvernatorit të Pensilvanisë Uilliam Skrenton.

Në fjalimin e pranimit të emërimit, senatori Golduoter u tha delegatëve se ata që nuk do ta pranonin fushatën e tij konservatore, do të mbeteshin prapa. Disa e quajtën atë ekstremist. Duke iu përgjigjur akuzave, ai tha:

“Do të doja t’ju kujtoja se të jesh ekstremist në mbrojtje të lirisë nuk është ves. Dua t’ju kujtoj gjithashtu, se prirjet e moderuara në zbatimin e drejtësisë nuk janë virtyt”.

Kjo deklaratë e tij shkaktoi shumë polemika. Në nëntor të atij viti, Beri Golduoter i humbi me rezultat të thellë zgjedhjet presidenciale ndaj kandidatit demokrat Lindon Xhonson.

XS
SM
MD
LG