Lidhje

19 korrik: Xheraldin Ferraro zgjidhet si kandidate për nënpresidente; Deklarata e Sentimenteve

  • Zëri Amerikës

Xheraldin Ferraro zgjidhet si kandidate për nënpresidente

Më 19 korrik të vitit 1984, Xheraldin Ferraro u bë gruaja e parë e zgjedhur si kandidate për nënpresidente e një partie kryesore të Shteteve të Bashkuara. Ajo u zgjodh nga kandidati për president i Partisë Demokrate, Uolter Mondejl dhe u miratua njëzëri nga Kuvendi i Partisë Demokrate që u mbajt në San Fransisko të Kalifornisë. Zonja Ferraro, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve nga Nju Jorku, e filloi fjalimin për miratimin e saj me një citim të veprimtarit të të drejtave civile, Martin Luter King:

“Ka disa momente në jetë, për të cilat nuk mund të gjenden fjalë për t’i shpjeguar. Kuptimi i tyre mund të artikulohet vetëm nga gjuha e heshtur e zemrës. Sonte unë po përjetoj pikërisht një moment të tillë”.

Më 1984, kandidatët demokratë Mondejl-Ferraro u mundën nga kandidatët republikanë Ronald Regan dhe Xhorxh Bush. Pas largimit nga Kongresi, Xheraldin Ferraro vazhdoi veprimtarinë e saj në jetën publike, si komentatore në televizion dhe në vitin 1998 ajo mori pjesë, por pa sukses, në garën për senatore e Nju Jorkut.

Deklarata e Sentimenteve

Më 19 korrik të vitit 1848, thuajse të gjitha udhëheqëset e lëvizjes së të drejtave të grave në Shtetet e Bashkuara morën pjesë në takimin e zhvilluar në Seneka Falls, të Nju Jorkut.

Në takim u miratua Deklarata e Sentimenteve, e cila i shtoi dy fjalët “dhe gratë” Deklaratës së Pavarësisë të vitit 1776: “Ne pranojmë këto të vërteta si të mirëqëna, se burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë.” Deklarata e Sentimenteve përmbante një listë me mënyrat se si burrat kishin mbajtur të shtypura gratë amerikane.

Në të kërkohej e drejta e votës dhe heqja e diskriminimit të grave në fushën e arsimit dhe në vendin e punës. Megjithatë, gratë nuk e fituan të drejtën e votës deri në vitin 1920.

XS
SM
MD
LG