Lidhje

14 korrik: Ditëlindja e Presidentit Gerald Ford; Komandanti i marinës amerikane, Methju Peri


Ditëlindja e Presidentit Gerald Ford

Më 14 korrik të vitit 1913, lindi Gerald Ford, i vetmi president i Shteteve të Bashkuara, i cili nuk u zgjodh asnjëherë president ose nënpresident. Zoti Ford ishte udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan kur presidenti Richard Nikson e emëroi nënpresident, duke përdorur autoritetin që i jepte amendamenti i 25-të i Kunshtetutës.

Gerald Ford zuri vendin e ish nënpresidentit, Spiro Agnew, i cili dha dorëheqjen në tetor të vitit 1973 pasi vendosi të mos u përgjigjej akuzave për mospagimin e taksave.

Presidenti Nikson dha dorëheqjen 10 muaj më vonë pasi u ndesh me kërcënimin për shkarkim nga posti si pasojë e skandalit të njohur si “Çështja Watergate”. Si rrjedhim, më 9 gusht të vitit 1974, Gerald Ford, bëri betimin për postin e presidentit të Shteteve të Bashkaura.

Komandanti i marinës amerikane, Methju Peri

Më 14 korrik 1853, Komandanti i marinës amerikane, Methju Peri, realizoi një qëllim të vjetër amerikan, atë të vendosjes së marrëdhënieve tregtare me Japoninë. Misioni i komandantit Peri ishte t’i dorëzonte një letër të Presidentit Millard Fillmore perandorit të Japonisë, në të cilën kërkohej zyrtarisht që Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të arrinin një marrëveshje tregtare.

Përpjekjet e mëparëshme kishin dështuar, pasi ata që ishin ngarkuar për të vendosur lidhje nuk e kuptonin as kulturën dhe as traditën japoneze. Prandaj, komandanti i marinës Peri ishte përpjekur për dy vjet radhazi të studjonte kulturën dhe zakonet japoneze, që të ishte i përgatitur për detyrën e tij. Kur Peri mbërriti në Gjirin Jedo të Japonisë, ai dhe guvernatori japonez i provincës kaluan nëpër një sërë ceremonish madhështore.

Pikërisht si rezultat i përpjekjeve të tij për të kuptuar mënyrën japoneze të jetesës, komandanti Peri u lejua që t’ia jepte letrën e presidentit amerikan Princit Toda të Idzuve, që ishte këshilltari i parë i perandorit.

XS
SM
MD
LG