Lidhje

3 korrik: Përgjegjësia e gjeneralit Piket; Vdes ylli i rrokut Jim Morison

  • Zëri Amerikës

Përgjegjësia e gjeneralit Piket

Më 3 korrik të vitit 1863, forcat e Unionit dhe Konfederatës zhvilluan luftimet vendimtare në betejën e Getisburgut, e cila u bë pikë kthese e Luftës Civile Amerikane. Gjenerali i ushtrisë jugore të Konfederatës, Xhorxh Piket, kishte marrë urdhër të pushtonte një pozicion të ushtrisë së Unionit pranë fshatit Getisburg, në Pensilvani.

Sulmi filloi ngadalë, por pastaj 15 mijë trupa të gjeneralit Piket dolën nga pylli dhe u vunë në formacion luftimi sup më sup, duke formuar një rresht të gjatë, e cila filloi të lëvizë në fushë të hapur drejt trupave të Unionit. Drejt tyre filluan të qëllojnë topat e shumtë dhe vetëm disa qindra ushtarë arritën në llogoret e Unionit, ku pastaj u vranë ose u kapën rob.

Atë mbrëmje, luftëtarët e mbetur gjallë të Konfederatës filluan tërheqjen të pasuar nga një karvan 27 kilometra i gjatë karrocash, ku ishin vendosur të plagosurit.

Vdes ylli i rrokut Jim Morison

Më 3 korrik 1971 vdiq në Paris këngëtari dhe kompozitori 27 vjeçar, Jim Morrison, i cili kishte qenë këngëtari kryesor i grupit të njohur The Doors. Sipas të dhënave zyrtare, Jim Morrison vdiq nga një goditje në zemër.

Shumë janë të mendimit se vdekja e tij ishte rezultat i abuzimit me alkoolin dhe drogën për vite me radhë. Jim Morrison ishte një këngëtar që ngjallte shumë debate mes kritikëve. Ai njihej për lëvizjet e tij të shfrenuara në skenë dhe për fjalët e pahijshme në tekstet e këngëve të tij. Më 1971 Morrison u largua nga kompleksi The Doors dhe shkoi në Paris për të shkruar poezi.

Vdekja e tij në korrik të atij viti, ishte vdekja e tretë e një ylli të madh amerikan të muzikës Rock në më pak se një vit. Në shtator 1970 kishte vdekur kitaristi dhe këngëtari, Jimi Hendrix dhe pa kaluar tri javë, në tetor po të atij viti këngëtarja Janis Joplin. Mendohet se këto tre vdekje lidheshin me përdorimin e drogave dhe secili nga të tre ata ishte 27 vjeç kur vdiq.

XS
SM
MD
LG