Lidhje

10 qershor: Themelohet shoqata "Alcoholics Anonymous"; Presidenti Kenedi mban fjalim për strategjinë e paqes


Themelohet shoqata "alcoholics anonymous"

Më 10 qershor të vitit 1935, agjenti i bursës Uilliam Uilson dhe mjeku kirurg, Robert Smith, themeluan shoqatën “Alcoholics Anonymous”, si një mjet për të ndihmuar veten dhe të tjerët, për t’u shëruar nga alkoolizmi. Sot ka dhjetëra mijëra degë të kësaj shoqate në më shumë se 100 vende. Shoqata ka në mbarë botën pasues që kanë premtuar të ndihmojnë çdo alkoolist, i cili kërkon ndihmën e tyre.

Anëtarët e shoqatës i mësojnë që dhënia e tyre pas alkoolit nuk do të kontrollojë më jetën e tyre, nëse luftojnë kundër këtij vesi herë pas here, me ndihmën e alkoolistëve të tjerë. Takimet e shoqatës “Alcoholics Anonymous”, mbyllen shpeshherë me lutjen e kthjellimit mendor, gjatë së cilës pjesëmarrësit bashkojnë duart dhe thonë:

“O Zot, më jep kthjelltësi që të pranoj ato gjëra që nuk mund t’i ndryshoj, kurajo që të ndryshoj gjërat që mundem dhe urtësi për të kuptuar ndryshimin ndërmjet tyre”.

Programi prej 12 pikash i shoqatës “Alcoholics Anonymous”, për për të mos mirë alkool gjatë gjithë jetës, është përqafuar nga organizatat që përpiqen të ndihmojnë njerëzit të ndërpresin varësinë tek narkotikët, lojën e bexhozit dhe të ngrënët e tepruar.


President Kenedi mban fjalim për strategjinë e paqes

Me 10 qershor 1963, Presidenti Xhon Kenedi njoftoi se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Sovjetik do të fillonin bisedime për t’u dhënë fund provave bërthamore në atmosferë. Presidenti Kenedi e bëri këtë njoftim në një fjalim që mbajti me rastin e dhënies së diplomave në Universitetin Amerikan në Uashington. Presidenti tha se shpresonte që strategjia e tij e paqes do të çonte në një çarmatim të plotë bërthamor.

“Një luftë e përgjithshme nuk ka kuptim në një epokë, kur fuqitë e mëdha mund të mbajnë forca bërthamore të mëdha dhe relativisht të paprekshme dhe mund të mos pranojnë të dorëzohen pa i përdorur këto forca. Nuk ka kuptim në një periudhë kur një armë e vetme bërthamore ka një fuqi shpërthyese thuajse 10 herë më të madhe, sesa të gjitha armët e përdorura nga forcat ajrore të Aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka kuptim në një epokë, kur helmet vdekjeprurëse të prodhuara nga shkëmbimi i zjarrit bërthamor, do të mbarteshin nga era, uji, dheu dhe farërat deri në qoshet më të largëta të botës dhe tek brezat që nuk kanë lindur akoma”.

Fjalimi i Presidentit Kenedi më 10 qershor 1963 konsiderohet si një deklaratë madhore e shpresave të Shteteve të Bashkuara për një zbutje të Luftës së Ftohtë.

XS
SM
MD
LG