Lidhje

15 qershor: Xhorxh Uashingtoni caktohet komandant i Ushtrisë Kontinentale; Përfaqësimi i barabartë në asambletë e shteteve

  • Zëri Amerikës

Xhorxh Uashingtoni caktohet komandant i Ushtrisë Kontinentale

Më 15 qershor të vitit 1775, Kongresi i Parë Kontinental emëroi Xhorxh Uashingtonin si gjeneral dhe komandant të përgjthshëm të ushtrisë kontinentale. Uashingtoni ishte fermer dhe oficer me përvojë i milicisë së Virxhinias.

Shënimet mbi debatin e zhvilluar në Kongres mungojnë, por një letër e delegatit Xhon Adams drejtuar bashkëshortes, e përshkruan Xhorxh Uashingtonin si “modest dhe të virtytshëm, të dashur, zemërbardhë dhe trim”.

Gjenerali Uashington udhëhoqi me sukses fushatën ushtarake gjatë Luftës Revolucionare dhe më vonë u zgjodh Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara. Amerikanët e njohin atë si themeluesin e Shteteve të Bashkuara.

Përfaqësimi i barabartë në asambletë e shteteve

Më 15 qershor të vitit 1964, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori një vendim që zgjidhte përfundimisht çështjen e mbizotërimit të legjislaturave nga përfaqësues të zonave fshatare. Në atë kohë, përfaqësimi në njërën apo në të dyja dhomat e kongreseve të të gjitha shteteve amerikane bazohej pjesërisht në parimin gjeografik.

Ky parim u jepte zgjedhësve nga zonat rurale mundësinë të përfaqësoheshin më shumë nga sa u takonte, në kontrast kjo me zgjedhësit e qyteteve dhe të periferive, ku dendësia e popullsisë ishte e madhe.

Vendimi i Gjykatës së Lartë parashikonte përfaqësimin në të dyja dhomat e legjislaturës së një shteti në bazë të popullsisë. Nga fundi i viteve 60-të, mbizotërimi i përfaqësuesve nga zonat rurale ishte përmbysur në një masë të madhe.

Duke shprehur mendimin e shumicës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetari i saj, Ërl Uarren shkruante: “Anëtarët e legjislaturës përfaqësojnë popullin, dhe jo drurët e pemëve dhe hektarët. Ata zgjidhen nga votuesit dhe jo nga fermat, qytetet apo interesat ekonomike”.

XS
SM
MD
LG