Lidhje

17 qershor: Beteja e Banker Hillit; Gjykata e Lartë ndalon lutjet në shkollat publike

  • Zëri Amerikës

Beteja e Banker Hillit

Më 17 qershor 1775 kolonë amerikanë të armatosur dhe trupa britanike zhvilluan betejën e parë të Revolucionit Amerikan. Beteja u zhvillua pranë kodrës Bankër në Çarlston që tani është pjesë e qytetit Boston në shtetin Masaçusets.

2400 trupa britanike nën udhëheqjen e gjeneralit Uilliam Hau, u hodhën në sulm kundër 1500 kolonëve amerikanë, të cilët kishin hapur llogore mbrojtëse në zonën Brids Hill, në afërsi të kodrës së famshme Bankër Hill. Trupat britanike u sprapsën dy herë nga kolonët. Sulmi i tyre i tretë pati sukses, sepse amerikanëve pothuajse u ishte mbaruar municioni.

Historiani Xhoel Kohën thotë se edhe pse amerikanët e humbën kontrollin mbi kodrën, britanikët pësuan humbje të rënda: “Beteja e Bankër Hillit ishte një humbje katastrofike për britanikët. Mbi një mijë ushtarë britanikë, ose 42 përqind e tyre, u vranë ose u plagosën. Kurse numri i amerikanëve të vrarë e të plagosur ishte rreth 400”.

Profesori Kohen, i Universitetit Rod Ajlënd, thotë se beteja e Bankër Hillit ishte edhe një fitore morale për amerikanët.

Gjykata e Lartë ndalon lutjet në shkollat publike

Më 17 qershor 1963 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin se leximi i organizuar i Biblës, apo recitimi i lutjeve të saj në shkollat publike ishte jokushtetues. Në një nga vendimet e saj që ka shkaktuar më shumë polemika, gjykata më e lartë e vendit përmendte atë pjesë të Kushtetutës që ndalonte marrjen nën mbrojtje të fesë nga ana e qeverisë.

Në bazë të vendimit të gjykatës, ndërsa studimi i fesë mund të ishte pjesë e mësimeve që jepeshin në shkollë, sistemi i shkollave publike, si organ i qeverisë, nuk mund të përdorej për qëllime fetare. Ndryshe nga sa mendonin disa nga kundërshtarët e këtij vendimi, Gjykata e Lartë nuk i ndalonte individët e veçantë të luteshin më vete. Vendimi vetëm ndalonte shkollat të organizonin seanca lutjesh.

Në vendimin e gjykatës thuhej se programimi i lutjeve apo të shkruarit e një lutjeje zyrtare të çdo lloji, konsiderohej si mbrojtje e fesë nga ana e qeverisë. Gjykata theksonte se “Në çdo marrëdhënie ndërmjet individit dhe fesë, shteti duhet të mbajë në mënyrë të vendosur një qendrim asnjanës”.

XS
SM
MD
LG