Lidhje

18 qershor: Ligjet mbi të Huajt dhe Rebelimin; Suzën Enthoni, fajtore nën akuzat se kishte votuar


Ligjet mbi të Huajt dhe Rebelimin

Më 18 qershor 1798 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi të parin e 4 ligjeve të njohura së bashku me emrin Ligjet mbi të Huajt dhe Rebelimin. Në bazë të Ligjit mbi Rebelimin, të drejtat e qytetarëve amerikanë kufizoheshin, duke ndaluar mbledhjet me karakter politik që kundërshtonin ndonjë masë të qeverisë.

Ligji po ashtu i konsideronte të paligjshme veprimet e atyre personave që kritikonin qeverinë me gojë ose me shkrim. Ligji për të Huajt autorizonte deportimin, arrestimin ose burgosjen e të huajve që konsideroheshin të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara.

Kongresi mbizotërohej nga Partia Federaliste, e cila besonte në një qeveri të fuqishme qendrore. Federalistët e shihnin me dyshim çdo qendrim opozitar dhe e konsideronin çdo kundërshtim ndaj politikës së tyre si rrezik për qeverinë. Ligjet për të Huajt dhe Rebelimin shihen nga historianët si një përpjekje e federalistëve për të dobësuar partinë Republikane të opozitës, në udhëheqjen e së cilës bënin pjesë shumë imigrantë.

Federalistët u përpoqën të vënë shenjën e barazimit ndërmjet lindjes në një vend të huaj dhe pabesisë ndaj Shteteve të Bashkuara. Pasi u zgjodh president i vendit më 1800, Tomas Xhefersoni urdhëroi të ndalohej menjëherë zbatimi i Ligjeve mbi të Huajt dhe Rebelimin.

Suzën Enthoni, fajtore nën akuzat se kishte votuar

Më 18 qershor, 1872 një gjykatë arriti në përfundimin se Suzën Enthoni, udhëheqëse e Lëvizjes për të Drejtën e Grave për të Votuar, ishte fajtore nën akuzat se kishte votuar. Ajo u dënua me 100 dollarë gjobë dhe 30 ditë burgim. Ajo nuk pranoi ta paguajë gjobën dhe si gjoba edhe dënimi i saj me burg u pezulluan.

Suzën Enthoni kishte udhëhequr një grup grash në një qendër votimi në Roçester të shtetit Nju Jork, për të vënë në provë të drejtën e grave për të votuar. Më së fundi, në vitin 1920 përpjekjet e zonjës Enthoni ndihmuan në hartimin dhe miratimin e amendamentit të 19-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara që u garanton grave në Shtetet e Bashkuara të drejtën e votës.

XS
SM
MD
LG