Lidhje

21 qershor: Fitorja e Betejës së Okinavës; Shteti Nju Hempshër ratifikon kushtetutën


Fitorja e Betejës së Okinavës

Më 21 qershor të vitit 1945, komanda e Shteteve të Bashkuara në Paqësor njoftoi se trupat amerikane kishin vënë nën kontroll ishullin Okinava, pas një beteje të përgjakshme kundër forcave japoneze që zgjati më shumë se 80 ditë.

Komanda e vendeve aleate zgjodhi ishullin e Okinavës për të ndërhyrë, sepse në këtë ishull mund të ndërtoheshin baza për ndërmarrjen e sulmeve ajrore kundër ishujve të tjerë japonezë. Me marrjen nën kontroll të ishullit Okinava marina amerikane arriti gjithashtu të ndërpriste lidhjet e furnizmit e të komunikimit të Japonisë me bazat e saj në detin e Kinës Jugore.

Zbarkimet e para amerikane më 1 prill 1945 nuk hasën thuajse në asnjë qëndresë. Strategjia japoneze ishte përqendrimi i mbrojtjes në brendësi të territorit, jashtë rrezes së veprimit të armëve të marinës amerikane.

Rreth 110 mijë ushtarë dhe pilotë japonezë dhanë jetën në mbrojtje të ishullit. Vetëm 7 mijë e 400 u dorëzuan. Thuhet se mes forcave amerikane në Okinava humbën jetën mbi 12 mijë e 500 ushtarë dhe u plagosën mbi 36 mijë të tjerë, numri më i madh i viktimave në çdo ndërhyrje luftarake në Paqësor.

Shteti Nju Hempshër ratifikon kushtetutën

Më 21 qershor të vitit 1788, kushtetuta e re e Shteteve të Bashkuara hyri në fuqi, pasi u ratifikua nga shteti Nju Hempshër. Në nenin e fundit të kushtetutës thuhet: "Ratifikimi i konventës nga 9 prej 13 shteteve është i mjaftueshëm për hyrjen në fuqi të Kushtetutës".

Megjithatë, ratifikimi nga ky shtet nuk kishte qenë i sigurt. Kur kuvendi i shtetit ishte mbledhur fillimisht 4 muaj më parë, në shkurt të vitit 1788, shumica e delegatëve synonin të votonin kundër projekt-kushtetutës nga frika se ky dokument do t’u jepte shumë pushtet qeverisë qendrore dhe shteteve të mëdha në dëm të shteteve të vogla si Nju Hempshër.

Duke e ditur se kundërshtimi nga delegatët e shtetit mund të minonte kushtetutën, delegatët që mbështesnin ratifikimin, bënë të gjitha përpjekjet dhe siguruan shtyrjen e votimit.

Kjo shtyrje i dha palës pro kushtetutës kohë të mjaftueshme për të bindur delegatët kundërshtarë lidhur me vlerat e statutit të ri kombëtar. Përkrahësit vunë në dukje, për shembull, se Senati do të përbëhej nga dy përfaqësues për çdo shtet, i vogël apo i madh, duke i dhënë kështu edhe shteteve më të vogla status të njejtë. I kënaqur me këtë klauzolë, Nju Hempshër e miratoi Kushtetutën dhe në këtë mënyrë ajo u bë pjesë e përhershme e sistemit amerikan të qeverisjes.

XS
SM
MD
LG